Votimi i Komisionerit, dështon propozimi i PDK-së për ta hequr nga rendi i ditës

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 10:39
 Votimi i Komisionerit, dështon propozimi i PDK-së për ta hequr nga rendi i ditës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka kërkuar që të hiqet nga rend i ditës, pika për zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Ai i ka bërë thirrje grupit parlamentar të VV-së që ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës.

“Ne kërkojmë që pika e nëntë e rendit të ditës të largohet. Ka pasur kundërshtime këtyre ditëve. Kërkojmë nga Lista Serbe dhe nga VV-ja që ta tërheqin këtë pikë”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, u.d. e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk do ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës.

“Argumentet që i prezantoi z.Recica nuk qëndrojnë. E kemi pasur një proces që ka shkuar në rrugën siç ka qenë e paraparë. Ky proces ka ardhur në seancë dhe seanca vendos. Thirrja për tërheqje është një thirrje për të vazhduar me proces të votimit. Ne kërkojmë që të procedohet kjo pikë e rendit të ditës”, ka thënë Kusari Lila.

Në ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se për kandidatët e përzgjedhur ka pasur vërejtje të shumta.

“Ne e kemi shqyrtuar këtë problem. Është prish një traditë e vazhdueshme në Kuvend, ku janë formuar grupe punues që kanë intervistuar kandidatët, i kanë përzgjedhur dhe i kanë dërguar në Komision. Kandidatët që janë përzgjedhur janë kandidatë për të cilët ka vërejtje të shumta. Mendoj se është e rëndësishme që të kemi përfaqësues jo politik. Propozimi për tërheqjen nga rendi i ditës është i arsyeshëm dhe duhet të tërhiqet”, ka thënë Gashi.

Edhe Bekë Berisha nga AAK-ja ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të tërhiqet.

“Sa i përket çështjes së Komisionerit, mendoj se ky konkurs është kompromentuar. Nuk do t’i përfaqësoj gjithë qytetarët dhe deputetët. Është e drejtë që të hiqet nga rendi i ditës dhe të bëhet konkursi për së dyti”, ka thënë Berisha.

Me 19 për, 53 vota kundër nuk ka kaluar propozimi i PDK-së për tërheqjen nga pika e rendit të ditës, votimi për Komisioner për Privatësi dhe Informim.

(Kosova Sot Online)