Hyri në provim për leje në vend të dikujt tjetër, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 11:12
 Hyri në provim për leje në vend të dikujt tjetër, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

Një ekzaminer në provimet për patentë shofer ka vërejtur se një person është prezantuar në vend të dikujt tjetër, për të iu nënshtruar provimit.

Rasti ka ndodhur mesditën e së mërkurës në stacionin e autobusëve në Prishtinë, ku mbahet provimi për patentë shofer.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se i dyshuari është intervistuar dhe ka deklaruar se ka bërë marrëveshje pa kompensim, me personin në vend të të cilit ka hyrë në provim.

“Stacioni i autobusëve, Prishtinë 16.06.2021 – 13:40. Ankuesi mashkull  kosovar  ekzaminer në provimet për patentë shofer ka raportuar se deri sa ka ftuar aplikuesit për të hyrë në sallë ku mbahet provimi për patentë shofer, kishte vërejtur se i dyshuari mashkull kosovar ishte prezantuar në vend të një personi tjetër i cili duhej që t’i nënshtrohej provimit. I dyshuari është intervistuar dhe i njëjti ka deklaruar se kishte bërë marrëveshje me dëshmitarin që të paraqitet në vend të tij për test pa kurrfarë  kompensimi”, bëhet e ditur në raportin e policisë.

Po ashtu është bërë e ditur se me urdhër të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Lidhur me rastin është intervistuar edhe dëshmitari mashkull  kosovar. Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

(Kosova Sot Online)