Bombë poshtë makinës së politikanit

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 12:16
Bombë poshtë makinës së politikanit

Policia italiane çaktivizoi një bombë të vendosur poshtë makinës së një politikani lokal në Romë, një incident ky shumë serioz sipas kryebashkiakes Virginia Raggi .

Forcat xheniere u thirrën në vendngjarje pasi në makinë ishin diktuar disa tela të dyshimtë.

Menjëherë u bllokua rruga ku ndodhej automjeti, derisa ekspertët arritën ta çaktivizonin bombën që shkaktoi jo pak frikë. Makina e shënjestruar ishte ajo e Marco Doria, president i grupit të punës të ngarkuar me ruajtjen dhe zhvillimin e parqeve e vila historike në kryeqendrën e Italisë.

Doria ishte vendosur tashmë nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që kishte marrë, e që lidheshin me denoncimet që ai i kishte bërë ndërhyrjeve të paligjshme në ndërtesa historike si dhe dëmtimit të statujave e shatërvanëve të qytetit.

Prokurorët e Romës kanë hapur një hetim dhe thonë se do ta ndjekin këtë çështje deri në fund.

(Kosova Sot Online)