Rusia me fytyrë të vjetër 24 orë pas takimit: Hyrja e Ukrainës në NATO është vijë e kuqe

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 12:27
 Rusia me fytyrë të vjetër 24 orë pas takimit: Hyrja e Ukrainës në NATO është vijë e kuqe

Kremlini tha të enjten se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte vijë e kuqe për Moskën dhe se Rusia brengoset nga fjalët se Kievit një ditë mund t’i dhurohet plani i veprimit për anëtarësim.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e bëri këtë deklaratë vetëm një ditë pas takimit të presidentit amerikan, Joe Biden, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës. Peskov tha se samiti ka qenë pozitiv në përgjithësi, shkruan Reuters.

Peskov gjithashtu tha se Rusia është duke e vëzhguar nga afër situatën. “Kjo është diçka që ne po e shikojmë shumë afër dhe vërtet është një vijë e kuqe për ne, sa i përket perspektivës së Ukrainës për anëtarësim në NATO. Natyrisht, kjo i ngre shqetësimet tona”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha të hënën se dëshiron përgjigje të qartë me “po” ose “jo” nga homologu Biden për dhënien e një plani Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Sidoqoftë, presidenti amerikan tha se Ukraina duhet ta çrrënjosë korrupsionin dhe t’i plotësojë kriteret para se të anëtarësohet në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë.

Ndryshe, Bideni dhe Putini u pajtuan gjatë samitit që vendet e tyre të fillojnë bisedime të rregullta me qëllim të ndërtimit të themelit për marrëveshje të ardhshme rreth kontrollimit të armëve.

(Kosova Sot Online)