Tension në Parlamentin e Malit të Zi, mediat thonë se rrëzimi i kryeministrit është i pashmangshëm

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 12:56
 Tension në Parlamentin e Malit të Zi, mediat thonë se rrëzimi i kryeministrit është i pashmangshëm

Votimi i sotëm për shkarimin e ministrit malazez të Drejtësisë, Vlladimir Leposaviq në Parlamentin e Malit të Zi do të tregojë shkallën e krizës së qeverisë aktuale të kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Një pjesë e mediave malazeze spekulojnë se kryeministri aktual është “tashmë ish” dhe se është e sigurt që ai do të zëvendësohet nga kryetari i Demos, Miodrag Lekiq. Konsultimet për këtë tashmë kanë filluar jozyrtarisht brenda tre koalicioneve, të cilat formojnë shumicën parlamentare, ka mësuar Novosti.

“Sot, ne do ta informojmë publikun për lëvizjet e ardhshme, por është e qartë se nëse ministri Leposaviq zëvendësohet, kryeministri Krivokapiq nuk do të ketë më legjitim”, i tha gazetës një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik, Millan Knezeviq.

Portali Podgorica Borba gjithashtu shkruan se përfaqësuesit e shumicës parlamentare tashmë kanë filluar bisedime joformale për zgjidhjen e krizës politike të shkaktuar nga tërheqja e mbështetjes për Krivokapiq.

Duke iu referuar disa burimeve, portali shkruan se këto bisedime do të intensifikohen në ditët në vijim në drejtim të konkretizimit të aktiviteteve të ardhshme dhe kombinatorëve të rinj të kabinetit qeveritar.

“Kryeministri Zdravko Krivokapiq është tashmë një ish dhe ai mund të zëvendësohet nga Miodrag Lekiq, një nga udhëheqësit e koalicionit ‘Paqja është kombi ynë’ (Aleksa Beçiq)”, shkruan Borba.

Lekiq, thonë ata, do të kishte një mandat të plotë për ta formuar një qeveri të re që do të përfshinte të gjithë udhëheqësit e shumicës parlamentare.

Lekiq, i cili ishte ambasador në Romë, është, pretendon portali, i pranueshëm për të gjitha grupet parlamentare të shumicës në Kuvend.

Anëtarët e Parlamentit të Malit të Zi do të vendosin sot për iniciativën për shkarkimin e ministrit të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq, raporton RTCG.

Dje, Parlamenti përfundoi debatin disa orësh me iniciativën e kryeministrit Krivokapiq.

Seanca e Kuvendit u karakterizua me fjalë të ashpra midis përfaqësuesve të partive në pushtet dhe kryeministrit Krivokapiq, i cili tha se imoraliteti dhe hipokrizia politike ishin të pranishme në Parlamentin e Malit të Zi.

Kjo provokoi një reagim të mprehtë nga disa deputetë nga partitë në pushtet. Ministri Leposaviq tha se do të ishte më lehtë për të që të mos ishte ministër nga sot, dhe tha se Qeveria do të mbijetojë.

Përfaqësuesit e partive të opozitës, si dhe Lëvizjes Qytetare URA, njoftuan mbështetjen e tyre për iniciativën e Krivokapiq.

Fronti Demokratik (DF) në pushtet dhe Partia Socialiste e Popullit (SNP) thanë se ata do ta kundërshtonin atë. Mali i Zi Demokratik tha se nëse nuk ka marrëveshje brenda shumicës parlamentare, kjo parti nuk do të marrë pjesë në shkarkimin e ministrit të Drejtësisë me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Sidoqoftë, nëse Krivokapiq bie, qeveria malazeze gjithashtu do të bjerë.

Mali i Zi Demokratik nuk mori pjesë në negociatat e pretenduara dhe as nuk do ta rrëzojë Qeverinë e 42-të të Malit të Zi, njoftoi sot Vlladimir Martinoviq, nënkryetari i asaj partie dhe anëtari i Parlamentit të Malit të Zi.

“Zgjidhja është në dialog, jo në grindje dhe primitivizëm”, shrkoi Martinoviq në Twitter.

(Kosova Sot Online)