KQZ-ja planifikon huazimin e kamerave nga Shqipëria për Qendrat e Numërimit në zgjedhjet lokale

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 14:42
 KQZ-ja planifikon huazimin e kamerave nga Shqipëria për Qendrat e Numërimit në zgjedhjet lokale

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë sot se janë duke u përgaditur për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 17 tetor të këtij viti.

Ahmetaj tha se sekretariati ka përgatitur specifikat për materialet e votimit si dhe disa masa shtesë.

“Për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të vitit 2021, sekretariati ka përgatitur edhe specifikat për materialet e votimit. Të gjitha këto specifika do të përcillen në Këshillin për Operacione Zgjedhore. Krahas kësaj, sekretariati ka përgatitur dhe planin për stafin që do të përfshihet në këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Ndër të tjera kryeshefi i sekretariatit tha se do të vendosin edhe masa shtesë të sigurisë në vendvotime.

Ai deklaroi se do të huazojnë kamera edhe nga Shqipëria për këtë proces.

“Meqë QNR është e vëzhguar 24 orë, si masë shtesë do të vendosim kamerat e sigurimit ku do të bëhet regjistrimi me kamera i procesit të numërimit nëpër tavolina. Kamerat janë planifikuar, të cilat kamera i ka përdoruar Shqipëria dhe mendojmë që t’i huazojmë. Ndërsa pjesa e materialeve të regjistrimit do të mbulohet nga sekretariati”, tregoi ai.

Ai theksoi se KQZ-ja do të rekturojë edhe staf në procesin e zgjedhjeve lokale.

“Masë tjetër shtesë për procesin zgjedhor kemi parapa edhe procedurat e rekrutimit të stafit, që të ofrojnë dëshmi që nuk janë të inkriminuar në vepra penale, dhe nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë familjare me ndonjërin nga kandidatët, etj”, tha ndër të tjera, Ahmetaj.

(Kosova Sot Online)