AstraZeneca: BE humbi ofertën ligjore për më shumë furnizime vaksinash deri në fund të qershorit

  • A.P /
  • 18 June 2021 - 16:56
AstraZeneca: BE humbi ofertën ligjore për më shumë furnizime vaksinash deri në fund të qershorit

Kompania AstraZeneca ka deklaruar se Bashkimi Evropian kishte humbur një çështje ligjore kundër firmës farmaceutike mbi furnizimin e vaksinave COVID-19, me një gjykatë në Bruksel që refuzoi një kërkesë të BE për më shumë dërgesa deri në fund të qershorit.

Por Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se vendimi i së premtes mbështet pikëpamjen e BE-së se AstraZeneca, kundër së cilës blloku ka nisur kohët e fundit një proces të dytë gjyqësor, nuk kishte arritur të përmbushte angazhimet e saj.

Gjiganti farmaceutik anglo-suedez u angazhua në një kontratë për të dhënë 300 milionë doza në bllokun e 27 vendeve deri në fund të qershorit, por problemet e prodhimit e çuan ndërmarrjen të rishikonte objektivin e saj në 100 milionë vaksina.

Shkurtimet e furnizimit vonuan vaksinimin e BE-së në tremujorin e parë të vitit, kur blloku fillimisht u mbështet në AstraZeneca për të pasur vëllimin më të madh të injektimeve. Kjo çoi në një mosmarrëveshje të hidhur dhe në veprimet ligjore të BE për të marrë të paktën 120 milionë doza deri në fund të qershorit.

Gjykata tha në një deklaratë se AstraZeneca duhet të japë 15 milionë doza deri më 26 korrik, 20 milionë të tjera deri më 23 gusht dhe 15 milionë të tjera deri më 27 shtator, për një total prej 50 milionë dozash. BE kishte kërkuar 90 milionë doza në tremujorin e dytë.

Nëse kompania do të humbasë këto afate, ajo do të përballej me një gjobë prej “10 eurosh për çdo dozë të pa dhënë”, tha Komisioni i BE. BE kishte kërkuar një gjobë prej 10 euro për dozë në ditë.

AstraZeneca tha se masat e tjera të kërkuara nga Komisioni ishin hedhur poshtë dhe gjykata kishte gjetur se BE nuk kishte ekskluzivitet ose të drejtë përparësie mbi palët e tjera me të cilat prodhuesi i barnave kishte kontrata.

“AstraZeneca tani pret një bashkëpunim të ri me Komisionin Evropian për të ndihmuar në luftimin e pandemisë në Evropë”, thueht në deklaratën e kompanisë.

Bashkimi Evropian muajin e kaluar nisi një proces të dytë gjyqësor kundër prodhuesit të ilaçeve duke kërkuar ndëshkime financiare për vonesat në furnizimin e vaksinave.

“Ky vendim konfirmon qëndrimin e Komisionit: AstraZeneca nuk i përmbushi zotimet e bëra në kontratë,” tha të premten Presidentja e KE Ursula von der Leyen.

Avokati i BE tha se BE do të analizojë situatën përpara se të vendosë nëse do të vazhdojë me çështjen e dytë ligjore.

(Kosova Sot Online)