Dalin detaje tronditëse: Piloti grek e mbyti Carolinen teksa ajo flinte

  • E.K /
  • 19 qershor 2021 - 13:14
Dalin detaje tronditëse: Piloti grek e mbyti Carolinen teksa ajo flinte

Mediat greke vazhdojnë të publikojnë detaje tronditëse nga vrasja e britanikes 20-vjeçare, Caroline Crouch.

Ndryshe nga sa kishte deklaruar bashkëshorti vrasës, Babis Anagnostopoulos, autopsia tregon se viktima ka vdekur kur ishte në gjumë. Të dhënat kanë dalë nga ora biometrike, që mbante viktima, e cila ka shërbyer më së shumti për të prangosur bashkëshortin vrasës.

Eksperti mjekoligjor që ka bërë analizën, tha se “menjëherë sapo pashë orën në dorën e viktimës, e dija se ajo regjistron të gjithë parametrat jetësorë, përfshirë këtu aktivitetin kardiak”.

“U kërkova që ta hiqnin orën nga dora dhe ta dërgonim në laborator për ekzaminim”.

Nga të dhënat e shqyrtuara, mendohet se viktima është sulmuar kur ishte duke fjetur gjumë. Gjithçka zgjati për pak minuta.

Ndërkohë mediat greke raportojnë se nëna e viktimës nuk kishte dyshuar te dhëndri i saj.

Madje ditën kur policia e shoqëroi Babis për ta arrestuar më vonë, ata u filmuan teksa përqafoheshin me lot në sy. “Është një makth,” ka thënë nëna e viktimës. Një i afërm i familjes tha se nëna e Karolinës ishte krenare për dhëndrin e saj.

(Kosova Sot Online)