Qeveria i ndan 20 mijë euro për familjen e 11-vjeçarit që u dhunua dhe u vra në Fushë Kosovë

  • E.K /
  • 22 June 2021 - 14:12
 Qeveria i ndan 20 mijë euro për familjen e 11-vjeçarit që u dhunua dhe u vra në Fushë Kosovë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’ia ndajë 20 mijë euro familjes së Kujtim Veselit, 11-vjeçarit i cili u dhunua dhe u vra në Fushë Kosovë.

“Propozoj të marrim vendim për ndarjen e mjeteve financiare që t’i lehtësohet gjendja familjes së të ndjerit Kujtim Veseli. Kujtimi ka lënë pas nënën, motrën dhe dy vëllezër, të gjithë fëmijët janë nën moshën 10-vjeçare. Kërkesa për ndarjen e mjeteve ka ardhur nga 2500 shtetas të Republikës së Kosovës. Propozoj shumën prej 20 mijë eurove. Kjo shumë nuk mjafton, por është i vetmi mjet që ne si Kryeministri kemi në dorë dhe duam dhe duhet të miratohet. “, tha kryeministri Kurti para kabinetit qeveritar.

Veseli ishte gjetur i vdekur më 11 korrik të vitit 2019, poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë.

Për vrasjen dhe dhunimin e tij, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 25 vite burgim S.O nga Fushë Kosova.

Ky rast kishte ngjallur protesta dhe reagime të shumta në komunitet, duke kërkuar drejtësi për të ndjerin dhe dorëheqjen e përgjegjësve të organeve të rendit.

(Kosova Sot Online)