Kujdes me “Zajednicën”, pa njohje reciproke nuk është obligim ndërkombëtar

Kujdes me “Zajednicën”, pa njohje reciproke nuk është obligim ndërkombëtar
Kujdes me “Zajednicën”, pa njohje reciproke nuk është obligim ndërkombëtar

Ali Hertica

  • 22 June 2021 - 13:13

Shkruan: Analist - Ali Hertica

Politikanët e Kosovës duhet ta analizojnë e kuptojnë mirë se e ashtuquajtura marrëveshja për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, pra për “Zajednicen” nuk është obligim i detyrueshëm ndërkombëtar. Ajo marrëveshje nuk ka garantues të zbatimit të saj sikur që nuk kanë pasur dhe nuk kanë edhe shumë marrëveshje të tjera të cilat njëanshëm i ka zbatuar pala kosovare kurse  i ka injoruar dhe nuk i zbaton akoma pala serbë. Pra duhet të jemi të Kujdesshëm, sepse “Zajednica” nuk është obligim ndërkombëtar pasi të dyja vendet, Serbia dhe Kosova, nuk e kanë njohur akoma njëra tjetrën.

 Ligjet ndërkombëtare që rregullojnë parimet e vendosjes së marrëdhënieve mes vendeve të ndryshme nuk parashohin marrëveshje në mes të shteteve që nuk e njohin njëri tjetrin dhe madje që nuk janë anëtare të OKB-së. Aq më tepër kjo marrëveshje nuk mundë të jetë detyrim ndërkombëtar ndaj Kosovës edhe përderisa, për faktin që BE nuk e njeh Kosovën si shtet. Zajednica pra është vetëm një çështje e thjeshtë e rregullimit të brendshëm kushtetues. Të gjithë ata që mendojnë ndryshe, që nuk kanë njohuri elementare se si funksionon bota bëjnë gabim të madh që insistojnë në  detyrimin e  zbatimit të kësaj marrëveshje pa e njohur paraprakisht shtete njëra tjetrën, Serbia dhe Kosova.

Çështja vjen e bëhet akoma më e pa pranueshme derisa Serbia e ka ende Kosovën pjesë të saj, në pjesën hyrëse të Kushtetutës, në preambulë dhe  kjo nuk është e rastësishme. E nga ana tjetër ne në Kushtetutë nuk e kemi futur  as vendimin e GJND-së. Serbia po kërkon që në mënyrë tinëzare, duke shfrytëzuar mungesën e unitetit dhe qëndrimit të përbashkët politik të lidershipit politik të Kosovës pa dallim pozitë dhe opozitë, ta ndryshoj realitetin e krijuar pas vitit 1999, në mënyrë që në të ardhme jo të largët, gjithnjë, sipas kalkulimeve të saja; politike, ekonomike e sidomos ushtarake ta ndryshoj atë, ta defunksionalizoj shtetin e Kosovës dhe ta pamundëson funksionimin e tij si shtet i pa varur, i varur nga Serbia, e në këtë strategji bënë pjesë edhe “Zajendica” përmes së cilës Serbia do ta ketë ndikimin e plotë në funksionimin e kësaj krijese të rrezikshme, nëse ajo ndërtohet përtej  konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese, para se të dyja shtete ta njohin njëra tjetrën, dhe nëse  i lejohet  funksionim autonom, me kompetenca  të pjesshme ekzekutive shtetërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".