Driton Selmanaj: Çdo tendencë për ta humbur rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit është kundër Kosovës

  • E.K /
  • 23 June 2021 - 11:25
 Driton Selmanaj: Çdo tendencë për ta humbur rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit është kundër Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë që qeveria “Hoti”, e ka pasur me prioritet dhe seriozisht procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një tryezë të organizuar nga KDI, Selmanaj tha se qeveria në të cilën ai ishte zv. kryeministër, dialogun e ka marrë në udhëheqje si një proces që ka zgjatur për 10 vite, e jo si një proces të ri që fillon me ardhjen e një qeverie të re.

“Ka 10 vite që po e diskutojmë edhe gjërat e njëjta, metodologjinë e njëjtë dhe vetëm njerëzit po ndërrojnë e substanca po mbetet e njëjtë. Kur e kemi marrë drejtimin e qeverisë ‘Hoti’ vitin e kaluar, qasja jonë e parë ka qenë marrja seriozisht e procesit të dialogut. Ne nuk e shohim si një proces të ri dhe se gjithçka ka ndodhur me ardhjen në pushtet të një qeverie, por është një proces që ka dalur si pasojë e obligimeve që Kosova i ka marrë 10 vite më herët”, ka thënë Selmanaj.

Më tutje Selmanaj ka folur edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e ndërmjetësimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kur kemi filluar qeverinë tonë, më përpara kemi qenë të ftuar që të shkojmë në Uashington sesa në Bruksel. Më 26 qershor ne kishim ftesë për të shkuar në Uashington por për shkak të ngjarjeve që ndodhën u kthyem rrugës. Ishte koha kur u bë publike aktakuza ndaj presidentit dhe ish-kryetarit të Kuvendit. Ka pas një qasje shumë proaktive të shtetit amerikan”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai pati edhe një përgjigje edhe për zëdhënësin e qeverisës, Përparim Kryeziu, i cili ditë më parë deklaroi se marrëveshja e Uashingtonit është jolegjitime.

Selmanaj theksoi se pikërisht marrëveshja e Uashingtonit është shumë e rëndësishme për Kosovën, teksa i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të distancohet nga deklaratat e zëdhënësit të tij.

“Ne arritëm edhe një marrëveshje që për shtetin e Kosovës është shumë e rëndësishme. Çdo tendencë që është për ta humbur rëndësinë e këtij dokumenti është kundër Kosovës dhe nuk i shërben interesave të Kosovës. I bëj thirrje kryeministrit që të distancohet nga deklaratat e zëdhënësit të tij”, ka thënë më tutje Selmanaj.

(Kosova Sot Online)