Pamje: Polici amerikan fillon të qajë pasi vret një vajzë e cila shtiu drejt tij

  • G.G /
  • 23 qershor 2021 - 13:08
Pamje: Polici amerikan fillon të qajë pasi vret një vajzë e cila shtiu drejt tij

Në një video të publikuar në rrjete sociale shihet se si një polic amerikan fillon të qajë pasi qëllon dhe vret një vajzë 19-vjeçare, për të cilën autoritetet thonë se hapi zjarr ndaj oficerit gjatë një parade të mbajtur të shtunën.

Polici i përfshirë në rast ishte duke e drejtuar trafikun gjatë Paradës Juneteenth, kur Briana Sykes iu afrua dhe qëlloi me pushkë në orën 2 e 14 minuta të pasdites, sipas Policisë Shtetërore të Michiganit.

Në pamje shihet polici duke iu afruar veturës në të cilën ndodhet vajza dhe duke i dhënë urdhra. “Më lejo të t’i shoh duart”, dëgjohet duke thënë polici disa herë.

Pas të shtënave, vetura në të cilën ishte tashmë e ndjera fillon të lëvizë ngadalë, ndërsa polici rrëzohet në tokë duke qarë. Disa policë të tjerë iu afruan për ta përkrahur.

“Asnjë polic nuk pret me qejf që të përdorë forcë fatale. Ndikimi emocional i një incidenti të këtillë është i gjerë”, tha një zëdhënës i Policisë Shtetërore të Michiganit.

Një dëshmitar tha: “Më duket se polici ishte duke e bërë punën e vet, kishte një jetë për ta mbrojtur. Jo vetëm kjo, por ne patëm një paradë plot fëmijë.”

Sykes u dërgua në një spital lokal, ku më vonë vdiq nga plagët. Një zëdhënës i policisë tha se polici i përfshirë në rast është në pezullim administrativ derisa të zhvillohen hetimet.

(Kosova Sot Online)