Anthony Blinken vizitë në Berlin: ‘Nord Stream 2’ nuk duhet të përdoret nga Rusia si një mjet detyrues kundër Evropës

  • E.K /
  • 23 June 2021 - 14:21
 Anthony Blinken vizitë në Berlin: ‘Nord Stream 2’ nuk duhet të përdoret nga Rusia si një mjet detyrues kundër Evropës

“’Nord Stream 2’ është një projekt gjeopolitik rus që minon sigurinë e Ukrainës”.

Kështu u shpreh nga Berlini Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara duan të sigurojnë që Rusia nuk përdor energjinë si një mjet detyrues kundër Evropës ose Ukrainës.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për mediat me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, Blinken tha se Uashingtoni ishte i vendosur të forconte sigurinë energjetike të Evropës.

Ministri gjerman nënvizoi se edhe Berlini dëshiron një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Raportet SHBA-Gjermani ishin veçanërisht të tensionuara gjatë mandatit të Trump, sidomos mbi tregtinë, buxhetet ushtarake, vendosjet e trupave dhe projektin e tubacionit ‘Nord Stream 2’ nga Rusia.

Të shumtë janë ata që shprehen se tubacioni do të komprometojë sigurinë evropiane të energjisë dhe do të dëmtojë Evropën Lindore dhe Qendrore. Sidoqoftë, Merkel favorizon fuqimisht projektin, i cili ka qenë një nga iniciativat kryesore të presidentit rus, Vladimir Putin për të rritur të ardhurat e energjisë së Rusisë.

(Kosova Sot Online)