Propozimi i SHBA për Ujmanin, çka është traktati i lumit Kolumbia dhe pse po heshtin Kosova dhe Serbia

  • 25 June 2021 - 08:04
 Propozimi i SHBA për Ujmanin, çka është traktati i lumit Kolumbia dhe pse po heshtin Kosova dhe Serbia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Me këtë marrëveshje synohej përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi.

Si model traktati i SHBA me Kanadanë

Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Liqeni i Ujmanit është një liqe artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

Më tej theksohet se “sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve”. Traktati i lumit Kolumbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA.

Image

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, 04.09.2020

Priten reagimet

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë ende nuk kanë reaguar ndaj propozimit amerikan për Liqenin e Ujmanit. Mirëpo, tri ditë më parë në një deklaratë për media, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte deklaruar në mes tjerash se “marrëveshja e 4 Shtatorit në Uashington, e nënshkruar nga qeveria Hoti, nuk ka vlerë dhe natyrë juridike”, për faktin se “ajo asnjëherë nuk ka shkuar në Kuvend për votim”.

Sapo ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, reagoi ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, që ishte nënshkrues i kësaj marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë sa bashku me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Hoti ishte kritikuar shumë për këtë marrëveshje nga kryeministri i tashëm, Albin Kurti.

Sipas Hotit, studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, nuk e cënon sovranitetin e Kosovës ashtu siç kritikohej nga kryeministri Kurti. “Ata që tani janë në Qeveri duhet të kujdesen për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit: projektet e hekurudhave dhe autostradave, energjisë së ripërtërishme, furnizimit me gaz, si dhe krijimin e mundësive për financim për bizneset private të Kosovës në tregje financiare të SHBA-së. Ndryshe nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar”, shkroi ish-kryeministri në Facebook. Avdullah Hoti ka kujtuar, se edhe “administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse eshtë në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”.

Image

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti

Rekomandimet për Liqenin e Ujmanit

Në raportin e SHBA-së të studimit të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, rekomandohet: përmirësimi i infrastrukturës së ujërave dhe zbatimi i udhëzimeve të Bankës Botërore për riparimin dhe mirëmbajtjen e kanalit Ibër-Lepenc, përfshirë rezervuarin e ujit në Mihaliq. Raporti gjithashtu rekomandon që të zbatohet sistemi i Kontrollit Mbikëqyrës dhe Marrjes së të Dhënave (SCADA) në hidrocentralin e Ujmanit në mënyrë që të rriten të ardhurat dhe të ndihmohet në balancimin e ngarkesës. Raporti thotë se përmes këtij rekomandimi do të ofrohej edhe mundësia për KOSTT-in, Tregu i Energjisë Elektrike në Kosovë, që të balancojë ngarkesën dhe të menaxhojë çmimet rajonale të energjisë elektrike.

Në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur qysh në vitin 2011, Serbia vazhdimisht insiston në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe që menaxhimin e liqenit të Ujmanit ta bëjë pikërisht ky asociacion. Por kjo kërkesë vazhdimisht është hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.

Liqeni i Ujmanit që gjendet në pjesën veriore të Kosovës, konsiderohet një pikë strategjike për Kosovën, për faktin që furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë banorë, nga 1.7 milionë banorë të Kosovës.

Nga liqeni i Ujmanit, me ujë furnizohen 7 komuna, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Drenasi, Skënderaj dhe një pjesë e Prishtinës. Edhe ndërmarrjet më të mëdha të Kosovës termocentralet Kosova A dhe Kosova B, gjiganti industrial Trepça dhe Ferronikeli, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen artificial./dw/

(Kosova Sot Online)