Rusia u kundërpërgjigjet Ukrainës e ShBA-së, teston sistemin ajror në Krime

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 10:20
 Rusia u kundërpërgjigjet Ukrainës e ShBA-së, teston sistemin ajror në Krime

Rusia e testoi gatishmërinë e sistemeve të mbrojtjes ajrore në Krime, gadishull që e aneksoi nga Ukraina më 2014, përderisa Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan ushtrime ushtarake në Detin e Zi.

Ushtrimi “Puhia e Detit”, i cili filloi të hënën, vjen pas rritjes së tensioneve mes NATO-s dhe Moskës. Rusia tha javën e kaluar se ka shtënë si masë paralajmëruese dhe ka hedhur bomba në vijën e lundrimit të një luftanije britanike për ta larguar nga ujërat afër Krimesë.

Flota ruse e Detit të Zi citohet të ketë thënë se ka vënë në gjendje gatishmërie rreth 20 aeroplanë luftarakë e helikopterë, përfshirë bombarduesit Su-24M si dhe sistemet raketore tokë-ajër, S-400 dhe Pantsir, gjatë testimit të gatishmërisë ushtarake.

“Flota e Detit të Zi është duke bërë disa gjëra për t’i vëzhguar veprimet e anijeve nga NATO-ja dhe shtetet tjera që po marrin pjesë në ushtrimet “Puhia e Detit 2021”, citohet të ketë thënë Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Mbrojtjes në Rusi.

Rusia kishte bërë thirrje që këto ushtrime të anuloheshin përpara se të fillonin dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se do të reagojë, nëse është e nevojshme që të mbrohet siguria kombëtare.

Në ushtrimin “Puhia e Detit 2021”, që do të zgjasë dy javë, do të përfshihet një personel ushtarak prej rreth 5.000 pjesëtarësh nga NATO-ja dhe aleatë të tjerë, si dhe 30 anije e 40 aeroplanë. Aty do të jenë edhe forcat detare amerikane dhe shkatërruesja amerikane e raketave, USS Ross.

(Kosova Sot Online)