KDI: A po bëhen ligje për “të fortit” në Kosovë?

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 11:36
 KDI: A po bëhen ligje për “të fortit” në Kosovë?

Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se vendit i duhet Ligji për lobim, i cili do të rregullonte ndërhyrjet nga grupet e pushtetshme në shtyrjen e legjislacioneve.

Arben Kelmendi menaxher i programit Transparencë dhe Antikorrupsion në KDI, mbajti konferencë për media të martën, ku shpalosi të gjeturat mbi influencën e grupeve të ndryshme të interesit në procesin legjislativ dhe rrugët institucionale që duhet ndjekur për të parandaluar këtë.

“Është koha për një ligj për lobim në Kosovë, pasi që duhet të rregullohet kjo ndërhyrje në vendimmarrjen në ligj”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit lobimi është një aktivitet që rritë diversitetin, por që duhet të rregullohet me ligj që të rritet transparenca.

Gjithashtu Kelmendi ka treguar se i kanë propozuar Qeverisë që ligji për aktivitetet lobiste ta fus në agjendën legjislative për vitin 2022.

“Ne kemi analizuar disa raste të dyshimta të legjislacionit të porositura që nga para pavarësisë dhe kemi parë që ky ndikim është i shpërndarë njëjtë si në legjislativ ashtu edhe në ekzekutiv”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)