Edi Rama pas incidenteve të ditëve të fundit: Policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 13:39
 Edi Rama pas incidenteve të ditëve të fundit: Policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim për mediat u shpreh se Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa shtoi që subjektet të largohen nga sipërfaqet që nuk i takon me ligje dhe rregull.

“I bëj thirrje që të largohen nga sipërfaqet që nuk i takon me ligj dhe me rregull. Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare. Plazhet janë të qytetarëve dhe për aq sa subjektet private janë përfshirë në garantimin e sezonit turistik janë të tyre si përgjegjësi aty ku i është njohur ligjërisht”, tha Rama.

Përplasja për shezllonet në Velipojë ditë më parë, solli vrasjen e 4 personave dhe plagosjen e 2 të tjerëve, mes tyre dhe një 20 vjeçari të pafajshëm.

Si pasojë e konfliktit me armë mes dy familjeve biznesmene, të vdekur në vend kanë mbetur Kujtim Ferracaku, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj si dhe Muzerim Zeneli, vetëm 20 vjeç, punëtor dhe sapo kishte mbyllur ditën e tij të pare të punës në hotelin ku ndodhi masakra.

(Kosova Sot Online)