Milan Radojçiq në Kuvendin e Serbisë kur flet Vuçiq, gruaja e Oliver Ivanoviqit lëshon sallën

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 15:08
 Milan Radojçiq në Kuvendin e Serbisë kur flet Vuçiq, gruaja e Oliver Ivanoviqit lëshon sallën

Milena Popovic e ka lëshuar mbledhjen e fundit të Kuvendit të Serbisë në të cilën Vuçiq po mbante fjalim, pasi aty ishte i pranishëm edhe Milan Radojçiq, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, shkruan N1.

Popovic, gruaja e Ivanoviqit, i ka thënë agjencisë Beta se ka disa arsye për të cilat ajo s’dëshiron të flasë, e për shkak të së cilave ajo nuk dëshiron që të ulet në të njëjtën hapësirë me Millan Radojçiqin.

“Hetimi për vrasjen e burrit tim është një proces shumë i komplikuar. E di që trupat hetimore janë duke punuar për zgjidhjen e këtij rasti, dhe plotësisht besoj që dorasit dhe organizatorët e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të zbulohen”, ka thënë ajo.

Milena Popovic gjithashtu ka thënë se është e zhgënjyer me autoritetet të cilat kishin deklaruar se brenda dy javësh do të publikoheshin detaje për vrasjen e Ivanoviqit, gjë që s’ka ndodhur.

“Unë jam e zhgënjyer sepse besoja që emrat e vrasësve do të bëheshin të ditur pak ditë pas vrasjes. Sidoqoftë, unë besoj që trupat hetimore do të sjellin drejtësi”, ka shtuar tutje ajo.

Popovic ka folur edhe për punën që po e bëjnë institucionet e Kosovës për zbardhjen e rastit, megjithatë thotë se padia u ndryshua disa herë dhe sipas saj procesi është ‘përlyer’.

(Kosova Sot Online)