Dyshohet për përhapje të Covidit në Korenë Veriore, shkarkohen zyrtarë të lartë

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 09:44
 Dyshohet për përhapje të Covidit në Korenë Veriore, shkarkohen zyrtarë të lartë

Lideri komunist i Koresë Veriore, Kim Jong-un, ka shkarkuar disa zyrtarë të lartë të partisë në pushtet rreth një incidenti për koronavirusin që e ka vënë në rrezik sigurinë publike, duke nxitur spekulime se virusi ka arritur t’i tejkalojë masat mbrojtëse të këtij shteti.

“Duke i neglizhuar vendimet e rëndësishme nga partia që bënin thirrje për masa organizative, materiale, shkencore e teknologjike për ta përkrahur punën e gjatë ani-epidemike përballë një krize botërore shëndetësore, zyrtarët e ngarkuar kanë shkaktuar një incident të rëndë që ka krijuar një krizë të madhe për sigurinë e vendit dhe popullit të tij”, citohet të ketë thënë Kim Jong-un në një takim të byrosë politike të partisë në pushtet, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

Kjo agjenci nuk e shpjegoi natyrën e shkeljeve, por analistët besojnë se shpërthimi i liderit në gjuhë të ashpër është shenjë se Koreja Veriore nuk është më pa raste të Covid-19, shkruan The Guardian.

Koreja Veriore i mbylli kufijtë e vet me Kinën dhe Rusinë në fillim të pandemisë, i ndërpreu udhëtimet ndërkombëtare ajrore dhe vendosi kufizime të rrepta për udhëtimet e brendshme. Vendi komunist i ka thënë Organizatës Botërore të Shëndetësisë se nuk ka regjistruar asnjë rast me Covid-19 pas testimit të mbi 30.000 personave.

Por ky pretendim është pritur me skepticizëm nga komuniteti ndërkombëtar. Ekspertët kanë paralajmëruar se shërbimi shëndetësor në këtë shtet nuk është i pajisur mirë për t’u përballur me ndonjë përhapje masive të virusit.

Koreja Veriore përballet edhe me pritje për vaksina. Në shkurt u tha se përmes programit Covax Koresë Veriore mund t’i dërgohen 1.9 milion doza në pjesën e parë të vitit, por ky plan u shty për shkak të mungesës së vaksinave në nivel global.

(Kosova Sot Online)