Mbi 180 varre pa shenja gjenden afër një ish-shkolle

  • E.K /
  • 01 July 2021 - 09:09
Mbi 180 varre pa shenja gjenden afër një ish-shkolle

Përfaqësuesit e popullsisë indogjene në Kanada thanë se i kanë gjetur mbetjet e 182 njerëzve afër truallit të një ish-shkolle me konvikt në rajonin e Kolumbisë Britanike.

Grupi “The Lower Kootenay Band” tha se është shumë herët të thuhet nëse mbetjet janë të ish-nxënësve të kësaj shkolle. Megjithatë, ky zbulim i shtohet gjetjeve të qindra varreve tjera pa shenja në Kanada.

Zbulimet e zymta kanë nxitur reagime në nivel kombëtar dhe i kanë shtuar thirrjet për anulimin e festës zyrtare të 1 korrikut, Dita e Kanadasë, shkruan BBC.

Udhëheqësit e popujve indogjenë thanë se presin që të gjenden më shumë varre përderisa hetimet po vazhdojnë.

Shkolla Saint Eugene, afër të cilës u gjetën varret, ishte hapur nga Kisha Katolike nga viti 1912 deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Ajo ishte një ndër më shumë se 130 shkollat obligative të themeluara nga qeveria kanadeze e të udhëhequra nga autoritetet fetare gjatë shekujve XIX dhe XX me qëllim të asimilimit të të rinjve indogjenë me forcë.

Në maj, mbetjet e 215 fëmijëve u gjetën në varre pa shenja në Kamloops të Kolumbisë Britanike. Javën e kaluar u gjetën mbetjet e 751 trupave të tjerë, shumica fëmijë, në truallin e një ish-shkolle në Saskatcheëan.

Në lidhje me këto zbulime, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, të mërkurën tha: “Këto na kanë detyruar të reflektojmë për padrejtësitë historike dhe të vazhdueshme me të cilat përballen popujt indogjenë.”

Foto ilostruese

(Kosova Sot Online)