Deri pasdite kanë kohë t’i shpallin kandidaturat, a do të ketë ndonjë befasi në garën për kryetar të PDK-së?

  • E.K /
  • 01 July 2021 - 10:07
 Deri pasdite kanë kohë t’i shpallin kandidaturat, a do të ketë ndonjë befasi në garën për kryetar të PDK-së?

Veç deri sot në orën 17:00 kanë kohë që t’i shpallin kandidaturat për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës zyrtarët e PDK-së që të shtunën mund të jenë kundërkandidatë të Memli Krasniqit. Ai deri tani është i vetmi që po garon për këtë pozitë. Enver Hoxhaj, që e udhëhoqi këtë subjekt pas dorëheqjes së Kadri Veselit, ka paralajmëruar se mund ta dorëzojë kandidaturën sot. Se a do të ketë ndonjë emër të ri që do t’i futet garës, merret vesh sot pasdite.

Më 3 korrik, Partia Demokratike e Kosovës do të bëhet me kryetar e kryesi të re.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen që ka mbajtur 10 ditë më parë, e ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Në një njoftim për medie është bërë e ditur se kandidati apo kandidatja që garon për kryetar të partisë duhet të ketë edhe një listë me 50 nënshkrime të delegatëve.

“Mbështetur në statutin e partisë, kandidati/ja që synon të garojë për Kryetar ka afat kohor ta shpallë kandidaturën deri dy ditë para mbajtjes së Konventës, pra më 1 korrik (E Enjte) ora 17h. Kandidati/ja që garon për Kryetar të partisë, duhet të paraqes listën me 50 nënshkrime të delegatëve nga 818 sa ka gjithsej Konventa si dhe platformën e tij/saj politike. Grupi punues i Konventës mirëpret nga të gjithë kandidatët që të kontribuojnë rreth përgatitjes sa më të mirë të Konventës”, bëhej e ditur nga PDK-ja.

Deri më tani, veç Memli Krasniqi e ka shpallur kandidaturën për kryetar të ri të Partisë Demokratike.

Krasniqi tha ditë më parë se subjekti në të cilën ai bën pjesë do të ketë një proces demokratik zgjedhor.

“Më 3 korrik, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e PDK-së. Duke qenë krenar me rrugëtimin tonë për Kosovën, dhe duke ndier përgjegjësinë e madhe që kemi për të ardhmen, unë kam vendosur që të kandidoj për të udhëhequr PDK-në.  Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithësecilin që don dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore”, ka thënë Krasniqi në ditën kur e shpalli kandidaturën para Këshillit Drejtues.

Se a do të ketë ndonjë kundërkandidat Krasniqi, mbetet të shihet deri sot pasdite.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, dje përmes një shkrimi në Facebook ua kujtoi zyrtarëve të këtij subjekti që kanë kohë vetëm deri sot që t’i dorëzojnë kandidaturat.

“Grupi punues për organizimin e Konventës se jashtëzakonshme të PDK-së mbajti takimin e rregullt.  Deri nesër në ora 17:00 presim kandidaturat për Kryetar të PDK-së”, shkroi dje Musliu.

Enver Hoxhaj, që e udhëhoqi PDK-në pas dorëheqjes së Kadri Veselit dhe arrestimit nga Haga, ka dhënë sinjale mbrëmë se ai mund të jetë njëri nga kandidatët.

“Kemi kohë edhe nesër që të paraqiten kandidaturat për të parin e PDK-së. Konventa është ngjarje më e rëndësishme se kush do të bëhet kryetar. Por ajo se çfarë do të ndodhë të shtunën do të jetë manifestimi i pjekurisë politike, konsensusit politik dhe konventa do ta mbërrijë qëllimin bazik: bërja e PDK-së si parti e parë”, tha ai.

“Unë e kam pasur një detyrë, e cila ka qenë që ta menaxhojë partinë prej 5 nëntorit, kur Veseli e Thaçi u arrestuan nga Gjykata Speciale. Për mua ka qenë një periudhë e vështirë politike. Edhe sonte dua të jem fer dhe i drejtë, pres që të ketë edhe kandidatë tjerë. Detyra ime ka qenë që të shoh se si po shkon procesi zgjedhor dhe nesër mund të vendos nëse do të kandidojë. Unë nuk i marr vendimet në studio. Nuk i kam marrë vendimet asnjëherë në studio. Por nesër kemi kohë dhe nesër kanë mundësi edhe kolegët e tjerë që të kandidojnë për kryetar të PDK-së”, tha Hoxhaj mbrëmë, kur u pyet për këtë temë.

Memli Krasniqi dhe Enver Hoxhaj nuk janë dy emrat e vetëm në PDK që janë përmendur për kryetar të mundshëm të këtij subjekti.

Ish-ministrja dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, është përmendur si kandidate. Megjithatë, ajo ka mohuar se do të garojë.

Hoxhaj mbrëmë foli edhe për rolin e Çitakut në kryesinë e re të PDK-së, duke thënë se ajo do të jetë pjesë e kryesisë.

“Vlora Çitaku do të jetë anëtare e kryesisë së PDK-së. Unë me të jam takuar para 4 orësh”, tha Hoxhaj mbrëmë.

Më 5 nëntor të vitit 2020, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, dha dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij në këtë subjekt, pas konfirmimit të aktakuzës dhe arrestimit të tij nga Haga.

Që nga atëherë, me subjektin është duke udhëhequr Enver Hoxhaj.

PDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit arriti që të radhitet si parti e dytë, me një diferencë të madhe nga koalicioni LVV-Lista Guxo.

PDK mori 17% të votave të përgjithshme dhe siguroi 19 ulëse në Kuvend të Kosovës. Momentalisht, PDK-ja ka 18 deputetë, pasi Adelina Grainca iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje.

(Kosova Sot Online)