Kosova dhe Shqipëria nisin bashkëpunimin për shëndetin e pushuesve

  • G.G /
  • 05 July 2021 - 08:15
Kosova dhe Shqipëria nisin bashkëpunimin për shëndetin e pushuesve

Inspektoriatet shtetërore të shëndetit të Shqipërisë dhe Kosovës po kontrollojnë qendrat shëndetësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime në zona turistike në Shqipëri. Aktiviteti bashkëpunues vjen për herë të parë dhe synon, sipas dy inspektoriateve, për të siguruar shëndetin e qytetarëve të dy shteteve, gjatë sezonit turistik.

Kryeinspektori i Kosovës, Shaban Osmanaj thotë për Zërin e Amerikës se veprimi përbashkët midis dy inspektoriateve shëndetësore shënon ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit të nisur pas marrëveshjes së përbashkët, nënshkruar pesë vite më parë. Osmanaj thotë se inspektorët po kryejnë veprime konkrete në zonat turistike për të parë kushtet shëndetësore.

“Ky është qëllimi inspektimeve të përbashkëta, për të parë, për të shkëmbyer informacionin, si ofrohet shërbimi, në cfarë kushtesh. Ne këtë projekt e kemi paraqitur bashkarisht këtë vit me homologët shqiptarë për një sezon turistik të shëndetëshëm”.

Ndërsa Kryeinspektore e Shërbimit Shtetëror shëndetësor në Shqipëri Vjollca Braho thotë se të dy inspektoriatet kanë bartur një barrë të madhe të përgjegjësive në menaxhimin e situatës me COVID-19. Sipas saj ato kanë mundësi të ndihmojnë njëra tjetrën me përvojën e krijuar.

“Ne po vijmë nga një përvojë e vështirë që ka kaluar Shqipëria, Kosova dhe mbarë bota. Ne kemi qenë institucioni që kemi zbatuar të gjtiha protokollet të miratuara për pandeminë e koronavirusit nga Ministria e Shëndetësisë dhe aktet normative të qeverisë shqiptare për të gjitha subjektet që kryejnë shërbime në Shqipëri. Tani jemi në një periudhë kur një pjesë e protokolleve janë lehtësuar, por vëmendja e dy inspektoriateve duhet të jetë e qëndrueshme, sidomos ndaj varianteve të reja të koronavirusit.”

Zonja Braho thotë se qendra shëndetësore të reja janë hapur këtë vit në zonat turistike për të qenë në gadishmëri të ndihmës mjekësore.

“Për sezonin turistik nga Ministria e Shëndetësisë janë hapur këtë vit 29 qendra të reja shëndetësore gjatë gjithë vijës bregdetare për të qenë sa më afër pushuesve. Përvec qendrave egzistuese ky shtim është për të pasur një sezon sa më të shëndetshëm dhe të sigurtë për gjithë pushuesit që do vijnë në Shqipëri.”

Trupat e inspektimit vlerësojnë se masat për situatën e pandemisë së koronavirusit, ndonëse të lehtësuara, kërkojnë vëmendje të vazhdueshme ndaj varianteve të reja. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka konfirmuar rastet e para me variantin “Delta” të koronavirusit.

Gjatë situatës së pandemisë dhe gjysmës së parë të këtij viti turistët nga Kosova zunë pjesën kryesore të pushuesvve, nga jashtë vendit, në Shqipëri. Sipas Institutit shqiptar të Statistikave vetëm gjatë majit hynë në Shqipëri rreth 144 mijë shtetas nga Kosova, gati dy herë më shumë see njëjta periudhë e vitit 2019, para situatës së pandemisë.

Ndërkohë 5-muajt e parë të këtij viti në Shqipëri vlerësohet nga të dhënat zyrtare se kanë hyrë mbi gjysëm milionë turistë nga Kosova, për të pushuar në zonat turistike shqiptare.

(Kosova Sot Online)