Senatorja Ernst: Ka mënyra konkrete për zhvillimin ekonomik të Kosovës

  • G.G /
  • 05 korrik 2021 - 11:18
Senatorja Ernst: Ka mënyra konkrete për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Senatorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga shteti i Iowas, Joni Ernst ka thënë se ekzistojnë disa mënyra konkrete për ta avancuar zhvillimin ekonomik dhe bizneset në Kosovë.

Ernst në vizitën e saj në Kosovë u takua me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, ku theksoi mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me shtetin e Iowas në fushën e bujqësisë.

“Ekzistojnë mënyra konkrete për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë. Është me rëndësi të synohen fushat me mundësi më të mëdha për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Iowas dhe Kosovës, siç është bujqësia”, tha Ernst.

Ajo u shpreh e lumtur që është kthyer në Kosovë dhe që mund t’i shpërndajë propozimet e saj lidhur me mënyrat se si shteti prej nga ajo vjen mund ta ndhmojë Kosovën përtej bashkëpunimit ushtarak. Ajo përveç ekonomisë, përmendi edhe edukimin si fushë në të cilën mund të bashkëpunohet.

Ndërsa foli për zhvillimin e fuqisë punëtore, ajo theksoi rëndësinë e programeve të kualifikimeve profesionale për nxënësit, si alternativë ndaj titujve universitarë, duke përmendur suksesin e programeve të tilla në Iowa. Ernst theksoi se si këto programe përgatisin të rinjtë për tregun e punës, duke krijuar ndërlidhje më të mirë ndërmjet zhvillimit të shkathtësive me nevojat e punëdhënësve.

Lidhur me klimën e investimeve në Kosovë, Ernst tha se ka shumë njerëz të cilët do të kishin vullnet për të investuar dhe për t’u angazhuar në Kosovë. Megjithatë, ajo mendon se investitorët kanë nevojë të sigurohen për një sistem të fuqishëm ligjor, të mbështetur nga respektimi i demonstruar për sundimin e ligjit.

(Kosova Sot Online)