Ndërtohet kështjella me rërë më e lartë në botë, ja ku ndodhet

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 09:04
Ndërtohet kështjella me rërë më e lartë në botë, ja ku ndodhet

Kështjella me rërë më e lartë në botë është ndërtuar në Danimarkë. Ajo është më e lartë se 20 metra dhe përmban gati 5.000 tonë rërë, sipas “arkitektëve” të saj.

21.16 metra e lartë, kështjella është mbi tri metra më e lartë se një tjetër që ishte ndërtuar në Gjermani më 2019 dhe që e mbante rekordin e mëparshëm, sipas librit të rekordeve, “Guiness World Records”.

Gjithsej 4.860 tonë rërë u përdorën për ta ndërtuar strukturën e zbukuruar, e cila i ngjan një piramide. Kështjella nga rëra u ndërtua në qytezën bregdetare daneze, Blokhus.

Dizajneri i saj nga Holanda, Wilfred Stijger, u ndihmua nga 30 prej skulptorëve më të mirë në botë të rërës. Ai tha se dëshiron që kjo kështjellë ta paraqesë fuqinë e koronavirusit që ka pasur në botë që nga fillimi i pandemisë. Në majë të saj ndodhet një model i virusit që ka një kurorë në kokë.

“Po e udhëheq jetën tonë gjithkund. Na tregon se çfarë të bëjmë, na thotë të qëndrojnë larg familjes dhe të mos shkojmë në vende të bukura, të mos bëjmë aktivitete, të rrimë në shtëpi”, tha dizajneri dhe ndërtuesi i kështjellës, duke iu referuar koronavirusit.

Për të qenë më e qëndrueshme, kështjella përmban rreth 10 për qind argjilë dhe një shtresë me ngjitës iu vendos në sipërfaqe për t’i rezistuar më shumë motit të vjeshtës dhe dimrit.

(Kosova Sot Online)