Çartet Kamishi, e lëshon mbledhjen: Ligji për heqjen e homologimit nuk e merr miratimin e Komisionit

  • G.G /
  • 09 July 2021 - 11:20
Çartet Kamishi, e lëshon mbledhjen: Ligji për heqjen e homologimit nuk e merr miratimin e Komisionit

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë ka dështuar të dërgojë në Kryesi, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Pas diskutimeve, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka lëshuar sallën duke pamundësuar kështu kuorumin për votim.

Fillimisht kryetarja e Komisionit, Fitora Pacolli ka propozuar që të miratohet ne shqyrtimin e dytë Ligji për Automjete.

“Unë propozoj që ta votojnë shqyrtimin e dytë dhe ta dërgojmë direkt në Kuvend me disa ndryshime teknike”.

E kundër Pacollit ishte deputeti Haxhiu, që tha se para miratimit të Ligjit të mbahet një dëgjim publik.

“Nisma ligjore që ka ardhur e kom pa dhe vërejtjet që i kanë disa prej kompanive, kryesisht lidhen me sigurinë në rrugë, janë që të ketë heqje të homologimit për veturat e reja dhe nëse një ligj i tillë bëhet pa pas dëgjim publik nuk e përmbush anën ligjore të Ligjit”.

Krahas Ligjit për automjete Komisioni diskutoi edhe për sigurinë në rrugë.

Pacolli tha se Komisioni për Siguri ka ofruar një bashkëpunim me Komisionin për Bujqësi lidhur me iniciative legjislative për siguri në rrugë.

“Për shkak të numrit të madh të aksidenteve që po ndodhin Komisioni Siguri së bashku me atë për Bujqësi do të nisin një iniciativë legjislative për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për siguri në rrugë.

E deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka kërkuar një material, pasi që tha se nuk e dinë se çka po voton.

“Unë i gëzona çdo nismë ligjore që e rrit sigurinë në rrugë por kemi hyrën në kompetencat një komisioni tjetër, do të duhej të sillej një material”.

(Kosova Sot Online)