RrGK-ja inkurajon Policinë e Kosovës për hetimin e lokaleve ku dyshohet se po ndodh prostitucion i detyrueshëm

  • G.G /
  • 09 July 2021 - 13:01
RrGK-ja inkurajon Policinë e Kosovës për hetimin e lokaleve ku dyshohet se po ndodh prostitucion i detyrueshëm

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur lajmet e fundit mbi numrin e madh të lokaleve të masazheve, në të cilat ka dyshime të bazuara se është duke ndodhur trafikim me qenie njerëzore si dhe prostitucion i detyrueshëm- të dy këto dukuri të cilat prekin dhe dëmtojnë më së shumti gratë dhe vajzat.

“Bazuar në komunikatën e Policisë së Kosovës të datës 2 korrik, mbi planin operativ “Masazha 21”, RrGK inkurajon Policinë e Kosovës që të vazhdojë me këtë plan, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e mirëqenies së grave dhe vajzave në Kosovë, si dhe luftimin e padrejtësive dhe diskriminimit gjinor ndaj tyre.

Marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët të grave dhe vajzave në tregun e punës, si dhe gjendjen e rënduar ekonomike për shumicën prej tyre, gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa që të jenë pre e trafikantëve dhe mashtrimeve të tilla. Po ashtu, shtojmë këtu se dhuna ndaj grave mbetet ndër format më të shprehura të dhunës që prek gratë, e megjithatë, fatkeqësisht mbetet ndër krimet më pak të ndëshkueshme në vend”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

RrGK mbështet këtë aksion të Policisë së Kosovës, si dhe shprehim gatishmërinë ta ndihmojmë atë në çfarëdo forme, duke pasur parasysh punën dhe ekspertizën tonë dekadëshe për përmirësimin e kushteve të jetës për gratë dhe vajzat në Kosovë.

Më poshtë mund të gjeni dy hulumtime të bëra së fundi nga RrGK, lidhur me dhunën ndaj grave dhe diskriminimin e grave në tregun e punës:

https://womensnetwork.org/sq/publications/nga-ligjet-ne-vepra/

https://womensnetwork.org/sq/publications/diskriminimi-me-baze-gjinore-dhe-punesimi-ne-kosove/

(Kosova Sot Online)