Gresa Caka e pret në takim ambasadorin amerikan, Kushtetuesja publikon detaje

  • G.G /
  • 12 July 2021 - 12:41
Gresa Caka e pret në takim ambasadorin amerikan, Kushtetuesja publikon detaje

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani është takuar sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Kushtetuesja ka dhënë detaje për takimin përmes një komunikate që kanë nisur për media.

“Pasi që e falënderoi për vizitën, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi ambasadorin Kosnett me punën e deritanishme të Gjykatës, si dhe me prioritetet e saj gjatë mandatit tre vjeçar në krye të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo shprehu mirënjohjen për përkrahjen që Qeveria amerikane i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet projekteve të ndryshme për konsolidimin e saj institucional që nga themelimi dhe theksoi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

“Pasi që i uroi suksese znj. Caka – Nimani në detyrën e Kryetares së Gjykatës, ambasadori Kosnett u zotua për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Kushtetuese dhe për institucionet e tjera në vend, me qëllim të forcimit të gjyqësisë së pavarur dhe sundimit të së drejtës në Republikën e Kosovës”, thotë njoftimi i Kushtetueses.

(Kosova Sot Online)