Franca u vë kusht mjekëve: Vaksinohuni ose mund të mbeteni pa paga

  • G.G /
  • 13 July 2021 - 09:32
Franca u vë kusht mjekëve: Vaksinohuni ose mund të mbeteni pa paga

Qeveria franceze ka njoftuar se të gjithë punëtorët shëndetësorë në vend duhet të vaksinohen plotësisht kundër Covid-19 deri në shtator ose rrezikojnë që të mbeten pa u paguar. Kushti vlen për mjekët, infermierët, stafin e zyrave dhe vullnetarët.

Presidenti Emmanuel Macron gjithashtu ka thënë se nga muaji i ardhshëm, pasaportat shëndetësore do të jenë të nevojshme për t’u shfaqur për të hyrë në vende si dyqane, kafene, kinema dhe trena për udhëtime të gjata.

“Jam i vetëdijshëm për atë që po kërkoj nga ju dhe e di ju jeni të gatshëm për këtë zotim. Kjo është, në një farë mënyrë, pjesë e ndjenjës suaj për detyrën”, tha Macron të hënën në një fjalim të transmetuar në televizion.

Vaksinimi i obligueshëm do të vlejë për secilin që ka kontakt me persona të ndjeshëm dhe prandaj këtu do të futen edhe të gjithë ata që punojnë në spitale, klinika dhe shtëpi të kujdesit, pavarësisht rolit të tyre.

Ministri i Shëndetësisë i Francës, Olivier Veran, i tha televizionit LCI se stafi shëndetësor duhet të vaksinohet deri më 15 shtator ose rrezikon që të mos paguhet, shkruan BBC.

Pas njoftimit të presidentit francez, uebfaqja që përdoret për rezervimin e termineve për vaksinim, Doctolib, ra nga sistemi, sepse shumë njerëz u munduan që ta caktonin terminin për vete.

Ndryshe, Franca së fundi po përballet me shtimin e rasteve të reja me Covid-19. Përhapja e variantit Delta ka shkaktuar rritje të numrit të pacientëve në spitale.

(Kosova Sot Online)