Selmanaj i ka pesë kërkesa për Qeverinë lidhur me rastet e helmimit në Deçan

  • A.P /
  • 13 July 2021 - 18:54
Selmanaj i ka pesë kërkesa për Qeverinë lidhur me rastet e helmimit në Deçan

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj, ka parashtruar pesë kërkesa për Qeverinë Kurti lidhur me rastet e helmimit në Deçan, ku në mesin e tyre ka kërkuar edhe që të thirret një mbledhje urgjente dhe të ndahen mjete financiare për trajtim të tyre.

Selmanaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka parashtruar kërkesa ndaj qeverisë që të nxjerrin përfundime për shkaqet e helmimit, derisa ka thënë se nevojitet edhe të ndahen mjete financiare për të sëmurit.

“Të thirret urgjent mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë për gjendjen e rëndë në Komunën e Deçanit; Të ndahen mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin shëndetësorë për të gjithë të prekurit; Të sigurohen barnat e nevojshme për trajtimin e të sëmurve”; ka shkruar ndër të tjera ai.

Reagimi i tij vjen pasi në Deçan u raportuan rreth 1,500 persona të helmuar, të cilët kërkuan trajtim mjekësor në QMF’në e kësaj komune.

IKSHPK ka arritur të marrë mostrat e ujit, nga i cili dyshohet se po vjen helmimi, megjithatë nuk ka arritur të sigurojnë rezultatin final. Deri më tani, nuk dihen shkaqet e helmimit.

Postimi i plotë i Driton Selmanajt:

Thirrje për Qeverinë e Kosovës.

• Të thirret urgjent mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë për gjendjen e rëndë në Komunën e Deçanit;

• Të ndahen mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin shëndetësorë për të gjithë të prekurit;

• Të sigurohen barnat e nevojshme për trajtimin e të sëmurve;

• Të dërgohen profesionistë shtesë shëndetësorë për t’ju dal në ndihmë Qendrave të Mjekësisë Familjare në Komunën e Deçanit;

• Të merren dhe dërgohen mostrat e analizave në vendet e zhvilluara për të nxjerrë sa më parë përfundimet e shkaqeve që quan në helmimin kaq masiv të qytetarëve të kësaj komune.

Vetëm bashkë mund t’ia dalim çdo sfide! 

(Kosova Sot Online)