Nisin hetimet për helmimin në Deçan – Caktohen dy prokurorë për këtë rast, intervistohen disa persona

  • G.G /
  • 15 July 2021 - 08:12
Nisin hetimet për helmimin në Deçan – Caktohen dy prokurorë për këtë rast, intervistohen disa persona

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet në lidhje me rastet e helmimeve në Deçan, me ç’rast ka lëshuar edhe një urdhër për intervistim të disa personave.

Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për këtë çështje.

“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi i videokamerave nga kamerat e sigurisë në atë rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, ka thënë Nikqi.

Ai nuk dha ndonjë shifër se sa persona do të intervistohen nga kjo prokurori, pasi sipas tij janë të dhëna konfidenciale, por që tha se intervistimi ka filluar.

Nikqi tha se dy prokurorë dhe institucionet përkatëse në koordinim me policinë janë duke punuar në terren dhe në vazhdimësi ka veprime hetimore që priten të nxirren në vendin e ngjarjes.

Për fotografinë e publikuar në rrjetet sociale gjatë ditës së djeshme në të cilën pretendohet se shihen dy serbë të dyshuar rreth rastit të helmimit të ujit, Nikqi tha se nuk e ka autorizimin të flasë në lidhje me këtë çështje.

Komuna e Decanit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e helmimeve.

Deri tash në Deçan janë regjistruar mbi 1500 persona që kanë kërkuar trajtim shëndetësor për shkak të helmimit.

(Kosova Sot Online)