U kapën me 1.2 ton kokainë, 5 shqiptarë dënohen me burgim të përjetshëm

  • A.P /
  • 20 July 2021 - 18:00
U kapën me 1.2 ton kokainë, 5 shqiptarë dënohen me burgim të përjetshëm

Gjykata greke dënon me burgim të përjetshëm Sandër Pemën. Para pak ditësh është dhënë vendimi i drejtësisë greke për të  arrestuarit e operacionit të janarit 2020 ku në Astako, Aitiloakarnania, u sekuestruan 1.2 ton kokainë që vinin nga ishujt Shën Vincent.

Në bankën e të akuzuarve qëndruan  13 persona, në një gjyq që përfundoi në 9 korrik nën masa të rrepta sigurie. Mes 5  personave  të dënuar me burgim të përjetshëm është dhe 42-vjecari Sander Pema, i cili në 2010 u përfshi  në një përplasje  të armatosur me policinë greke në Virona se bashku me Marian Kolan, i arratisur nga burgu i Trikallas dhe i vrarë më pas në kufirin greko-shqiptar.

Në përplasjen  e atëhershme  me armë në Virona mbeti i vrarë shqiptari Nikolla Todi.  Lënda narkotike ishte ngarkuar në velieren “Barracuda Seven” në shtetin ishull ekzotik Shën Vincent të Karaibeve dhe u sekuestruan në një banesë në Astako, Greqi.

Në transportin e drogës morën  pjesë edhe dy oficerë policie të infiltruar, “Triantis” dhe “Stratias”. Në gjyqin qe nisi në 19 maj dhe përfundoi  në 9 korrik, dëshmuan  si deshmitarë të mbrojtur edhe dy oficerët. Ata dëshmuan  online nga një zyrë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

Operacioni i tipit “Miami Vice” ishte i një rrezikshmërie të lartë, përballe kriminelëve që zotëronin arsenal të rëndë armësh dhe me precedentë të rëndë penal për drogë, goditje me armë, grabitje etj. Shkatërrimi  i organizatës ndërkombëtare kriminale u bë në Astako, Aitiloakarnania, pak para se sasia prej 1 ton 181 kg kokainë me vlerë 50 mln euro të hidhej në tregun e paligjshëm të Europës dhe Afrikës veriperendimore.

Truri i trafikut ishte një baron shqiptar droge, “Doktori”, sic e thërrisnin bashkepunetorët e tij. Pas informacioneve te DEA, në organizatën kriminale kishin arritur të depërtonin dy oficerë sekrete të policisë greke me pseudonimet “Stavros Triantis” dhe “Kyriakos Stratias”. Ata erdhën në kontakt me kreun shqiptar dhe fituan besimin e tij.

Oficeri “Stavros Triantis” në 9 nëntor 2018 hypi në velierën me flamur grek “Barracuda 7”, e cila u nis nga Alimo bashkë me shqiptarin, Arber Perdeda, banues në Spanje, i cili mbante kontakt me kreun e grupit përmes pajisjeve të kriptuara dhe merrte urdhra. Paralelisht “Stavros Triantis” kishte komunikim me sherbimin e tij, ku kanalizonte informacionin lidhur me levizjet e kartelit.

Udhëtimi i rrezikshem nisi nga porti i Tenerifes, ku lundroi veliera më 4 dhjetor 2018. U zhvilluan takime në Shqiperi dhe në Barcelonë, që të jepeshin drejtimet e nevojshme dhe kokaina u ngarkua në velierë në detin e Karaibeve. Pagesa për transportin ishte bërë nga një shtetas arab që banon në Spanjë dhe konsiderohet një nga krerët e organizatës. Pagesa u bë me këste përmes një banke shqiptare nga një shqiptar që deklarohej si tregtar me jashtë.

Ngarkesa do të vinte në Spanje, por karteli u informua për kontrolle të policisë spanjolle dhe ndërroi destinacion për në  plazhet e Prevezës dhe më pas në Astako, ku kishin marrë me qera dhoma, ku do të mbahej kokaina. Aty u kapën nga policia greke.

Nga 8 të arrestuarit, Sandër Pema ishte krahu i djathtë i kreut të organizatës. Një tjetër shqiptar dhe një grek 28 vjeç ishin përgjegjës për listëpagesat. Një maroken ishte përgjegjës për marrjen e drogës nga furnizuesit dhe shpërndarjen e tyre tek pjesëtarët e tjerë të organizatës. Një tjetër shqiptar kishte rol koordinues me kreun e grupit në Spanjë, ndërsa një grek 46 vjeç bashkë me dy shqiptarë dhe një person ende të paidentifikuar, ishin përgjegjës për masat e sigurisë gjatë transportit të drogës. Ndërsa një shqiptar me banim në Spanjë ishte përgjegjës për sigurinë e krerëve të organizatës.

Dy oficerët e infiltruar grekë të Drejtorisë së Antidrogës në Athinë, kishin depërtuar në organizatën kriminale prej shtatorit 2018, pa e kuptuar askush dhe jetuan për rreth 1.5 vite në velierë për të transportuar drogë nga Karaibet në Evropë dhe përfundimisht kontribuan si askush në çmontimin e një organizate kriminale kriminalësh të rrezikshëm me veprimtari ndërkombëtare.

Sapo ngarkesa e kokainës “shkeli” tokën greke, një tjetër polic i infiltruar me pseudonimin “Jorgos Grigoriu”, depërtoi në qark. Urdhri që mori nga pjesëtaret e grupit ishte që të shkonte në Prevezë, ku ishin anëtaret e tjerë, të gatshëm për marrjen e drogës që do të bëhej në 24 janar 2020. Nga këta të fundit, ai duhet të merrte një pjesë të parave për dorëzimin e kokainës.

Në Preveze “Grigoriu” u takua me grekun P. B, i cili i dorëzoi një qeskë kartoni, duke i thënë se nuk dinte se çfarë kishte brenda. Kur oficeri i policise u kthye tek shërbimi i tij dhe hapi qeskën, zbuloi se kishte brenda 109 550 euro.

Disa orë më vonë dhe pasi u zgjidhën "detajet" e fundit për pjesën tjetër të parave, takimi përfundimtar u la në shtëpinë në Astako ku ishte ruajtur kokaina. Atje, sapo doli një anëtar i grupit për të dhënë shumën e mbetur, njerëzit e policisë dhe forcat speciale EKAM ndërhynë.

(Kosova Sot Online)