Shkollës islame në Angli i gjendet libri që bën thirrje për vrasje të homoseksualëve

  • G.G /
  • 21 July 2021 - 12:47
Shkollës islame në Angli i gjendet libri që bën thirrje për vrasje të homoseksualëve

Një shkollë e pavarur islame ka dështuar që ta kalojë procesin e inspektimit, pasi në bibliotekën e saj u gjet një libër në të cilin bëhet thirrje për vrasjen e homoseksualëve.

Inspektorët thanë se libri, i quajtur “Islami për Homoseksualitetin”, e kishte vulën e bibliotekës së Institutit për Edukim Islamik në West Yorkshire.

Në raportin e inspektoratit të arsimit thuhet se në këtë libër kishte pjesë për ndëshkimin e individëve për shkak të seksualitetit të tyre dhe pikëpamjeve të cilat bien ndesh me sundimin e ligjit.

Duke paraqitur shembuj, organet e arsimit thanë se në këtë libër thuhet se “pjesëmarrësit në aktivitet seksual duhet të vriten, qofshin ata të martuar apo të pamartuar”, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Kur u pyet për këtë libër, drejtori i shkollës tha se teksti nuk duhet të jetë në bibliotekën e shkollës, por zyrtarët tjerë thanë se libri është për qëllime hulumtimi.

Megan Manson, drejtoreshë për politika dhe hulumtime në Shoqërinë Kombëtare Sekulare, tha se këto gjetje janë tmerruese.

“Është e tmerrshme që një libër që bën thirrje për ekzekutimin e homoseksualëve të gjendet në një bibliotekë shkolle. Është edhe më shqetësuese që disa udhëheqës të shkollës dukej se e mbronin vendimin e shkollës për ta bërë këtë libër të qasshëm për fëmijët”, tha ajo.

Kjo shkollë kishte marrë vëmendje edhe në vitin 2016, pasi një hulumtim kishte zbuluar se nxënësit banues të saj nuk kishin të drejtë të shikonin televizor, të dëgjonin muzikë apo të lexonin gazeta.

(Kosova Sot Online)