Danas: SHBA-ja e tronditur nga Vuçiqi, e impresionuar nga Kurti

  • E.K /
  • 22 July 2021 - 11:31
 Danas: SHBA-ja e tronditur nga Vuçiqi, e impresionuar nga Kurti

Gazeta serbe, “Danas” ka shkruar sot se Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden do t’i bëjë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq më shumë sesa kryeministrit të Kosovës në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi mes palëve.

Duke cituar një përfaqësues jozyrtar të qarqeve diplomatike nga Washingtoni, gazeta serbe, e cila është nga të paktat media opozitare në Serbi, shkruan se në SHBA “janë impresionuar nga demokracia e Kurtit”.

“Në Washington, ata janë të impresionuar nga demokracia e Kurtit”, dhe nga ana tjetër, “janë tronditur nga autoritarizmi i Vuçiq”, citohet të ketë thënë ky zyrtar.

Siç shkruan ky medium, presidenti i Serbisë kritikohet nga shteti amerikan, ndër të tjera, për “mungesën e sensit për dialog me kundërshtarët politikë, kontrollin e tepruar mbi media”, si dhe “deklaratat ndezëse të bëra shpesh nga ai dhe disa të bashkëpunëtorëve të tij për fqinjët e Serbisë në Ballkanin Perëndimor”.

Sa i përket Kurtit, pretendohet se ai “gëzon mbështetjen e Amerikës në shumicën e segmenteve politike”, megjithëse konsiderohet “bashkëbisedues më i pakëndshëm” sesa paraardhësi i tij në detyrë, Avdullah Hoti. Në këtë kontekst, theksohet se “Kurti dëshiron atë që përfaqëson administrata e Biden – që Kosova ta marrë njohjen nga Serbia”.

Burimi i Danas citohet të thotë se SHBA-ja pret që Kurti t’i zbatojë reformat e premtuara, “veçanërisht ato që lidhen me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit”, dhe “të llogarisë seriozisht te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka lidhje jashtëzakonisht të mira politike në qarqet afër Bidenit”.

Departamenti amerikan i Shtetit ende jo zyrtarisht pretendon se Matthew Palmer nuk do të qëndrojë në pozicionin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit, që do të thoshte se ai do të lirohet nga detyrat e tij si Përfaqësues Special për Ballkani Perëndimor, shkruan Danas.

Po ashtu thuhet se Karen Donfried, e cila do të emërohet Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë do ta zgjedhë një ekip të ri, duke përfshirë një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online)