Opozita kërkon nga Vjosa Osmani që ta shpall të hënën ditë zie për shkak të aksidentit tragjik në Kroaci

  • A.P /
  • 25 July 2021 - 12:55
Opozita kërkon nga Vjosa Osmani që ta shpall të hënën ditë zie për shkak të aksidentit tragjik në Kroaci

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të shpall ditën e nesërme ditë zie për shkak të aksidentit me fatalitet në Kroaci, raporton Gazeta Express.

Në këtë aksident janë regjistruar 10 viktima.

Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin e tij social Facebook ka ftuar autoritetet e Kosovës që të qëndrojnë pranë familjeve të prekura nga kjo tragjedi, derisa është lutur për shërimin e pasagjerëve.

Shkrimi i plotë:

Lajmi tragjik nga Kroacia për aksidentin e autobusit me mërgimtarët tanë në rrugën për vendlindje na trishtoi pa masë.

Në këto orë të rënda për familjet e prekura të bashkatdhetarëve tanë, i bashkohemi dhimbjes për më të dashurit e tyre që humbën jetën.

Lutjet tona janë për të gjitha familjet për përballimin e dhimbjes që kanë humbur më të dashurit, ndërsa për të gjithë të lënduarit, lutemi për shërimin sa më të shpejt të tyre.

Ftoj autoritetet e Shtetit të Kosovës që tu qëndrojnë pranë familjeve të prekura nga kjo tragjedi, ndërsa presidentja e Kosovës do të duhej që ditën e nesërme ta shpall ditë zie për Kosovën!

(Kosova Sot Online)