10 viktima nga aksidenti në Kroaci, sot ditë zie në Kosovë

  • E.K /
  • 26 July 2021 - 07:58
 10 viktima nga aksidenti në Kroaci, sot ditë zie në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci.

Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe sot do të udhëtojë për në Kosovë, thuhet në komunikatën për media.

Nga aksidenti i shkaktuar në orët e hershme të ditës së djeshme kanë vdekur 10 persona, ndërsa 45 të tjerë janë lënduar, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Autobusi me targa nga Kosova ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë mirëpo është aksidentuar në Kroaci.

Kryeministri Albin Kurti, ka shkuar në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Ndërsa, shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh kanë qenë dje në vendin e ngjarjes tragjike.

(Kosova Sot Online)