Reagon analisti: Qeveria Kurti duhet të çlirohet nga ministra e zv.ministra kokëtrashë, si Liburn Aliu e Hysen Durmishi

Reagon analisti: Qeveria Kurti duhet të çlirohet nga ministra e zv.ministra kokëtrashë, si Liburn Aliu e Hysen Durmishi

Gani Qarri

  • 26 July 2021 - 07:49

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Çështja e tiketave, të cilat vërtetë kishin kosto jo reale për gjendjen financiare dhe standardin e qytetarëve të Kosovës, për fare pak kohë, u shndërrua në shqetësim të madh edhe për vet qytetarët, ndaj Qeveria Kurti duke parë se në brendësinë e saj ka disa ministra e zëvendësministra që vërtetë janë-kokëtrashë dhe nuk kanë aftësi për këto punë, duhet të intervenojë shpejt dhe zëvendësoj ata me kohë, e të mos lejojë që personat e tillë, ti keqpërdorin pozitat për ti trashur edhe qafat e tyre dhe kthyer në problem, jo vetëm për Qeverinë por edhe për gjithë Kosovën.

Ngjarjet e fundit me tiketat për makina, përveç komentimeve të shumta, interpretimeve dhe përplasjeve politike, janë keqpërdorur shumë edhe nga opozita e inkriminuar, për ti mbuluar hajnit e veta dhe komprometuar gjithë qeverinë, me qëllim që të harrohet zhvatja që ato për më tepër se dy dekada me radhë i kanë bërë, pa asnjë mëshirë mbarë Kosovës, derisa e izoluan hermetikisht vendin nga mbarë bota. Ndaj megjithëse nga ardhja e Qeverisë Kurti në pushtet, Kosova ka shënuar përmirësime, ngjarjet e fundit dëshmojnë se Qeveria duhet ta përmirësojë edhe kuadrin brenda resorëve të ministrive të saj, sidomos në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës,ku nuk dihet qartë se kush është ministri e kush zëvendësi i tij, gjë që komprometon rëndë edhe sukseset e shënuara si dhe vet Qeverinë Kurti, përkundër faktit se ajo, ka kohë fare të shkurtë, që është në pushtet.

Në këtë kontekst, bëhet jo vetëm i domosdoshëm por madje edhe veprim i detyrueshëm një vlerësim i plotë i performancës së Qeverisë Kurti 2, duke futur në skaner të hollësishëm dhe riformatim rrënjësor e përplotësim me ndryshime dhe zëvendësime të pozitave ministrore, sidomos pas skandalit që shpërtheu me taksën për tiketat e veturave, që u duk se vërtetë erdhi komplet si një vendim autoritar, për të mos thënë edhe sabotim i qëllimshëm, për motive korruptive e kriminale. Një vendim fare i pa koordinuar me kryeministrin Kurti nga ana e Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe zëvendësit të tij Hysen Durmishi, gjë që ndryshimet në këtë ministri dhe jo vetëm, i bënë akt të domosdoshëm dhe veprim të patejkalueshëm.

Madje qoftë edhe vetëm për faktin e transparencës dhe llogaridhënies të premtuara edhe në fushatën parazgjedhore, kryeministri Kurti, duhet të veprojë urgjentisht dhe ti rekomandoj, e po qe nevoja edhe ti urdhërojë urgjentisht ndryshimet dhe zëvendësimet, në këtë ministri e cilëndo tjetër që shihet e nevojshme dhe kudo që hetohet se ka dobësi e tendenca devijimi të qëllimshëm, përtej programit të pastër qeverisës, për ta ruajtur imazhin, e bërë punën si duhet, në mënyrë që të motivohen edhe qytetarët me rezultatet pozitive në qeverisje, për ti fituar edhe zgjedhjet lokale të vjeshtës, si ato nacionale më 14 shkurt.

Përndryshe, gabimet dhe lëshimet e tilla, do ta demoralizojnë tërësisht elektoratin, ulin besimin tek qytetarët dhe rrezikojnë rënien e përqindjes së votave që do marr koalicioni VV-Guxo në zgjedhjet komunale, nëse nuk veprohet me urgjencë për ndryshime pozitive, përmirësimet e duhura dhe zëvendësimet me figura plotësisht të besueshme dhe kompetente, kudo që hetohen gabime e degradime te tilla, si dhe tendenca sabotimi apo për përfitime personale në dëm të imazhit dhe besimit në premtimin e dhënë qytetareve të cilët votuan besnikërisht me një formë referendumi popullor për ta sjellë, pas më tepër se dy dekadave nga sundimi arbitrar i partive të inkriminuara, ndryshimin e madh për ZBATIMIN DHE SUNDIMIN E RENDIT DHE LIGJIT edhe në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".