Fati i shoferit mes Kroacisë dhe Kosovës, çfarë mund të ndodhë tash me të?

  • A.P /
  • 27 July 2021 - 18:41
Fati i shoferit mes Kroacisë dhe Kosovës, çfarë mund të ndodhë tash me të?

Shoferit të autobusit i cili të dielën herët në mëngjes lëvizi fatalisht jashtë një autostrade në Kroaci, përveç me gjendjen e tij emocionale, tani do t’i duhet të përballet edhe me procedurën penale, fundi i së cilës mund ta çojë në burg për 15 vjet, sipas kodit penal të Kroacisë. Në rast të dënimit, Ministria e Drejtësisë tha se ai do të mund ta vuante atë në Kosovë vetëm nëse këtë do ta kërkonte shteti kosovar dhe për këtë do të pajtohej Kroacia.

Mbrëmë ishte nata e dytë që fjeti në qeli shoferi i autobusit të “Deva Tours”, nga përmbysja e të cilit afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci dhjetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Një çast gjumi gjatë vozitjes u tha se mund të ishte shkaku i tragjedisë së të dielës që erdhi pasi autobusi doli jashtë autostradës, por këtë e mohoi sot avokati i shoferit, i cili vetëm sot mundi ta ndërronte këmishën e tij me njolla gjaku.

Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod vendosi sot një masë paraburgimi prej 30 ditësh ndaj drejtuesit të autobusit, për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndaj shoferit mund të shpitohet dënimi me burgim nga tre deri në 15 vjet, sipas Kodit Penal në Kroaci.

Kosova nuk ka marrëveshje me Kroacinë për transferimin e të dënuarve. Nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë, në një përgjigje thanë se 52-vjeçari, i cili është shtetas i Kosovës, mund të transferohet për ta vuajtur dënimin në Kosovë, në rast se për këtë pajtohet shteti kroat.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë nuk kanë marrëveshje dypalëshe për Transferimin e Personave të Dënuar, por ligji i Kosovës e përcakton se nëse shteti tjetër pajtohet (garanton në reciprocitet), personi i dënuar mund të transferohet për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.


(Kosova Sot Online)