Joe Biden: Nëse hyjmë në luftë me fuqitë e mëdha, do të jetë për këtë shkak

  • E.K /
  • 28 July 2021 - 10:38
Joe Biden: Nëse hyjmë në luftë me fuqitë e mëdha, do të jetë për këtë shkak

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se një sulm i madh kibernetik ndaj vendit të tij do të mund të çonte në luftë. Në këtë koment, ai i përmendi Rusinë dhe Kinën si kërcënim për sigurinë kombëtare të ShBA-së.

“Mendoj se ka gjasë që do të përfundojmë – nëse përfundojmë në luftë – luftë të vërtetë me të shtëna me një fuqi të madhe, do të jetë si pasojë e një shkeljeje kibernetike me pasojë të madhe”, tha presidenti amerikan gjatë fjalimit për komunitetin amerikan të inteligjencës të martën.

Ai e theksoi numrin në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private, të cilat zyrtarët amerikanë i kanë lidhur me Rusinë dhe Kinën, shkruan Free Europe.

Siguria kibernetike është vendosur në krye të listës së prioriteteve të Shtëpisë së Bardhë pas një vargu sulmesh gjatë gjashtë muajve të parë në pushtet të administratës Biden.

Në samitin e Gjenevës në qershor me presidentin rus, Vladimir Putin, Bideni tha se dy udhëheqësit kanë diskutuar që 16 lloje të infrastrukturës kritike të mbahen larg kufijve të sulmeve kibernetike, përfshirë energjinë dhe ujin.

(Kosova Sot Online)