Kuvendi nis punimet me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Kroaci

  • E.K /
  • 28 July 2021 - 10:50
 Kuvendi nis punimet me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Kroaci

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka propozuar që para fillimit të seancës së Kuvendit  të mbahet një minutë heshtje për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci të dielën.

“Propozoj që ta mbajmë një minut heshtje për t’i nderuar 10 bashkëatdhetarët tanë të cilët para tre ditësh në aksidentin tragjik në Kroaci e humbën jetën”, tha Konjufca para deputetëve.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

(Kosova Sot Online)