Anija që e bllokoi Suezin arrin më në fund në Holandë

  • E.K /
  • 29 July 2021 - 11:59
 Anija që e bllokoi Suezin arrin më në fund në Holandë

Anija “Ever Given”, e cila për disa ditë kishte mbetur e bllokuar në Kanalin e Suezit në muajin mars, arriti të enjten në portin e Roterdamit në Holandë, pasi u lirua nga autoritetet e Egjiptit ditë më parë.

Porti holandez tha se anija do të qëndrojë në atë vend për t’iu shkarkuar mallrat deri më 3 gusht, ndërsa pastaj do të niset për në Felixstowe të Anglisë, shkruan Reuters.

Një ndër anijet më të mëdha në botë, “Ever Given” ishte bllokuar në Kanalin e Suezit për shkak të erës së fortë më 23 mars, duke e bllokuar qarkullimin dhe duke shkaktuar pengesa të mëdha në tregtinë botërore.

Rreth 15 për qind e transportit botëror ujor zhvillohet përmes Kanalit të Suezit, që e përbën rrugën më të shkurtër ujore mes Evropës dhe Azisë.

Anija e gjatë 400 metra, e cila është e ngarkuar me rreth 18.300 kontejnerë mallrash, u nis nga Egjipti më 7 korrik, 106 ditë pas qëndrimit të padëshirueshëm në Egjipt.

(Kosova Sot Online)