“Kjo është e tepërt”, Anglia irriton Francën, veç asaj nga BE-ja s’ia heq karantinën

  • E.K /
  • 29 July 2021 - 12:29
 “Kjo është e tepërt”, Anglia irriton Francën, veç asaj nga BE-ja s’ia heq karantinën

Një ministër francez ka thënë se rregullat e Anglisë për udhëtime janë diskriminuese, pasi kjo e fundit njoftoi se do ta mbajë në fuqi masën e karantinimit për udhëtarët që vijnë nga Franca, por jo edhe për ata që vijnë nga shtetet tjera të BE-së.

Reagimi i Francës erdhi pasi Anglia njoftoi se do ta lejojë hyrjen e udhëtarëve të vaksinuar plotësisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara pa u karantinuar, por se rregullat për Francën ende janë duke u shqyrtuar.

“Kjo është e tepërt dhe qartazi e pakuptimtë në aspektin shëndetësor. Nuk është e bazuar në shkencë dhe diskriminim ndaj francezëve”, tha ministri francez për Evropë, Clement Beaune. “Shpresoj që vendimi të rishikohet sa më shpejt që është e mundshme, është thjesht logjikë”, shtoi ai.

Ministri Beaune tha se Franca tash për tash nuk ka në plan që të marrë ndonjë masë hakmarrëse, shkruan The Guardian.

Në anën tjetër, qeverita britanike ka thënë se po i mban në fuqi rregullat për karantinim për vizitorët francezë për shkak të pranisë së variantit Beta të koronavirusit. Megjithatë, zyrtarët në Francë kanë thënë se shumica e rasteve me variantin Beta vijnë nga ishulli La Reunion në Oqeanin Indian.

Kjo nuk është hera e parë që Franca dhe Britania kanë pakënaqësi me njëra-tjetrën. Franca ka qenë më e ashpër se vendet tjera të BE-së me Britaninë rreth Brexit-it, duke e kritikuar shpesh Londrën zyrtare. Para disa muajsh, fuqitë botërore patën tensione edhe rreth të drejtave për peshkim, që gjithashtu lidhen me Brexit-in.

(Kosova Sot Online)