U kërkoi fqinjëve që t’ia ulnin zërin muzikës, e rrahin derisa e bëjnë për koma

  • E.K /
  • 30 korrik 2021 - 11:28
 U kërkoi fqinjëve që t’ia ulnin zërin muzikës, e rrahin derisa e bëjnë për koma

Një burrë në Florida të Shteteve të Bashkuara është rrahur rëndë nga fqinjët, nga të cilët kërkoi që t’ia ulnin zërin muzikës.

Frank Penkava, 42 vjeç, u vendos në komë mjekësore në një spital rajonal, pasi kishte pësuar shumë thyerje në fytyrë si pasojë e rrahjes brutale, shkruan Fox News.

Të martën, ai mbeti i hospitalizuar përderisa mjekët po presin që t’i stabilizohet gjendja para se ta fusin në operacion. Sulmi ndaj tij ka ndodhur më 14 qershor.

“I biri im ka një djalë të vogël, i cili do të mbushë katër vjet. Ai është i bukur dhe mund të mos e njohë kurrë babanë e vet. Nuk e dimë se çfarë dëmi i është bërë mendërisht, për të mos i përmendur problemet fizike që ka. Është shumë dëshpëruese”, tha nëna e burrit të sulmuar.

Një medium lokal raportoi se mjekët janë duke ia vëzhguar burrit aktivitetin e trurit për të vërejtur ndonjë dëmtim të përhershëm në tru.

Motra e të sulmuarit, Gina Horcath, tha se vëllai ka disa eshtra të thyer dhe gjithashtu është prekur nga një infeksion. “Ai po vazhdon të luftojë çdo ditë, por është shumë, shumë i sëmurë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)