Blerta Deliu- Kodra: Lajm i mirë përsëritja e konkursit për anëtarë të KPM-së

  • E.K /
  • 03 August 2021 - 10:54
Blerta Deliu- Kodra: Lajm i mirë përsëritja e konkursit për anëtarë të KPM-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e ka quajtur lajm të mirë vendimin që të përsëritet i gjithë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.

Në një postim në “Facebook”, Deliu ka thënë se që kthimi në pikën zero të këtij konkursi inkurajon për një proces të drejtë dhe demokratik.

“Edhe një fitore e betejës për transparencë dhe llogaridhënie ??Lajm shumë i mirë që i gjithë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media do të përsëritet. Që nga fillmi kemi shprehur rezervën tonë ndaj një procesi tërësisht të mbyllur, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe pa media. Rihapja e konkursit dhe rikthimi në pikën zero i konkursit për Komisionin e Pavarur të Medias inkurajon të gjithë për një proces fer e demokratik”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se ditë më parë anëtarja e shoqërisë civile, Flutura Kusari, ka deklaruar se përzgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media është bërë në procedurë krejtësisht sekrete.

Po ashtu kundër këtyre emërimeve ishte edhe Ricardo Gutierreze nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EJF), që ishte shprehur i shqetësuar në lidhje me emërimin e anëtarëve të KPM-së.

(Kosova Sot Online)