Koqinaj: Deri më tani kemi pasur 180 vatra të zjarrit

  • A.P /
  • 03 gusht 2021 - 18:05
Koqinaj: Deri më tani kemi pasur 180 vatra të zjarrit

Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqinaj ka thënë se nga data 29 korrik e deri më dje, në Kosovë kanë qenë 180 vatra të zjarrit.

Ai deklaroi se disa nga këto vatra kanë qenë lehtë të menaxhueshme dhe janë sanuar lehtë.

“Nga datat 29-30 të muajit të kaluar e deri më datën 2 gusht, ka pasur deri në 180 vatra zjarri. Shumica kanë qenë lehtë të menaxhueshme dhe janë sanuar lehtë. Në dy ditët e fundit është rajoni i Suharekës, ku ka pasur një situatë më të vërtetë më dramatike sesa në çdo rajon tjetër”, ka thënë ai.

Koqinaj ka dhënë detaje edhe për ekipet që kanë marrë pjesë në shuarjen e zjarrit në rajonet ku ka pasur vatra të zjarrit.

“Reaguesit ose zjarrfikësit shpëtues, FSK me gjithë kapacitetin e vet është vënë në dispozicion dhe ka reaguar, por edhe mbështetja nga ajri i KFOR-it ka qenë poashtu prezent”, deklaroi ai.

Zyrtari i AME-së, foli edhe për mungesën e zjarrfikësve në Kosovë.

“Ka pasur kërkesa për po aq raste për tu ndihmuar në këto situata. Në rast rreziku ndihmohen të gjithë. Por në rast të mungesës së kapaciteteve, ata shkojnë në zonat ku ka më shumë nevojë”, tha më tutje Koqinaj. 

(Kosova Sot Online)