Djali akuzohet për vrasjen e nënës dhe fshehjen e kufomës në bagazh

  • E.K /
  • 04 August 2021 - 10:09
 Djali akuzohet për vrasjen e nënës dhe fshehjen e kufomës në bagazh

I biri i një eksperteje të sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara është akuzuar për vrasjen e nënës së vet, pasi ajo u gjet e therrur për vdekje në shtëpinë e saj.

Juanita Koilpillai, 58 vjeçe, nga kolegët përshkruhej si gjeni. E lindur në Sri-Lankë, ajo ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara në vitet e tetëdhjeta dhe më pas kishte themeluar një kompani që kishte edhe institucione në mesin e klientëve.

Djali i saj, Andrew Beavers, 23 vjeç, u arrestua më 31 korrik. Policia nuk ka treguar për motivin e vrasjes, shkruan Daily Mail.

I dashuri i viktimës e kishte njoftuar policinë më 25 korrik dhe e kishte raportuar të dashurën të zhdukur, duke thënë se kishte gjak në shtëpinë ku ajo banonte me të birin.

Vetura e saj gjithashtu ishte zhdukur dhe një ditë më vonë u gjet i biri i saj, bashkë me veturën dhe objektin që mendohet se u përdor si armë për vrasje. Pas analizës së forenzikës, në thikë u gjet ADN-ja e nënës dhe të birit.

I dyshuari kishte plagë në dorë, të cilën nuk mund ta shpjegonte. Ai u arrestua në një shtëpi në Leesburg dhe po mbahet në paraburgim.

(Kosova Sot Online)