E vrau ish-burrin dhe e varrosi në oborr, u thotë policëve se era po vjen nga pëllumbat

  • E.K /
  • 04 August 2021 - 10:38
 E vrau ish-burrin dhe e varrosi në oborr, u thotë policëve se era po vjen nga pëllumbat

Një grua në Minnesota të Shteteve të Bashkuara raportohet se e ka vrarë ish-bashkëshortin dhe e ka varrosur kufomën e tij në pjesën e oborrit pas shtëpisë, para se t’i thoshte policisë se ai ka shkuar për të thithur marijuanë në Oklahoma, thanë zyrtarët.

Karina Her, 40 vjeçe, u akuzua për vrasje të qëllimshme të shkallës së dytë, pasi dyshohet se e qëlloi dy herë në pjesën e pasme të kokës me armë zjarri ish-bashkëshoritn, Kou Yang. Më pas, ajo kishte ndërtuar një kasolle mbi vendin ku e kishte varrosur viktimën.

Mbetjet e burrit u zbuluan gati një muaj më pas, kur një fqinj u ankua për erën e rëndë. E dyshuara kishte thënë se era po vjen nga jashtëqitjet në një kafaz të pëllumbave aty afër, shkruan Daily Mail.

Familjarët e burrit paraqitën një raport për person të zhdukur në polici më 22 korrik, pasi nuk kishin pasur kontakte me të për disa javë, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Pasi familjarët e tij e kontaktuan policinë, edhe zonja Her i telefonoi shërbimet emergjente, duke thënë se nuk e ka parë ish-bashkëshortin që nga 1 korriku.

Image

E akuzuara për vrasje, Karina Her

Ajo i tha policisë se jetonte me ish-partnerin në të njëjtën shtëpi përderisa po mundoheshin që ta shisnin atë. Megjithatë, vajza 17 vjeçe e të dyshuarës e njoftoi policinë, kur motra e saj i kishte thënë se nëna kishte shkuar me veturë në një pyll dhe kishte hedhur një qese me një objekt në formë të zgjatur.

E dyshuara këmbënguli se udhëtimi me veturë në pyll ishte për ta hedhur ushqimin e mbetur. Sidoqoftë, vajza e madhe e saj e lajmëroi policinë, kur pa një vrimë në oborr.

Her tha se vrima në oborr kishte mbetur nga heqja e një trungu dhe se ish-bashkëshorti ishte në Oklahoma për vizitë familjare.

Para se të arrestohej, ajo gjithashtu tha se era e rëndë në vendin e dyshimtë vjen nga një kafaz i pëllumbave./

(Kosova Sot Online)