Policia raporton se një malishevas vdiq pas zjarrit, komuna thotë se pati sulm

  • E.K /
  • 04 August 2021 - 12:41
 Policia raporton se një malishevas vdiq pas zjarrit, komuna thotë se pati sulm

Një 64-vjeçar vdiq dje në rrethana të dyshimta në Malishevë. Nga policia po thonë se dyshimet e mjekut ishin që i moshuari vdiq nga ajri i tymosur, teksa nga komuna po thonë se zyrtarisht ai vdiq nga sulmi kardiak.

A.G, 64-vjeçar ka vdekur dje në Fshatin e Ri të Malishevës. Edhe pse nga policia u raportua se ai vdiq nga ajri i tymosur, pasi iu dogj stalla, nga komuna po e demantojnë Policinë e Kosovës për këtë njoftim.

Hafir Rexha nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Malishevë ka thënë, se i moshuari vdiq nga sulmi kardiak e jo nga ajri i tymosur.

Sipas tij, tashmë i ndjeri vdiq pasi u lokalizua zjarri që e kishte përfshirë dje stallën e tij.

“Ngjarja ka ndodhur në Fshatin e Ri. Personi është Avdyl Gegaj, rreth 60-vjeçar. I është djegur stalla dhe personi që po raportohet se është i vdekur sipas zyrtarit tonë të DMSh-së dhe të gjithë akterëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes, personi në fjalë ka pasur sulm kardiak, ka vdekur pasi është lokalizuar zjarri. Ndërkohë e ka pasur një sulm dhe ka vdekur e jo si pasojë e zjarrit”, ka thënë Rexha.

Në ndërkohë nga policia e Kosovës kanë sqaruar se tashmë i ndjeri pas mesnate kishte shkuar në stallën e cila i ishte përfshirë nga zjarri, për të parë nëse zjarri është shuar plotësisht.

Sipas njoftimit, familjarët pas një ore e kishin gjetur atë të vdekur po atje.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, rreth orës 02:30 të datës 03.08.2021 është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF), se një person i gjinisë mashkullore (viti i lindjes 1957), është sjellë pa shenja jete nga familjarët në këtë institucion shëndetësor. Njësitet relevante policore (patrulla dhe hetuesia), i janë përgjigjur rastit. Sipas deklaratave të familjarëve,  dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë  (03.08.2021) ishte zgjuar dhe kishte shkuar tek shtalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 02.08.2021, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar. Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në QKMF”, sqaron policia.

Më tutje në këtë sqarim thuhet se raporti i policisë, se viktima ka vdekur nga ajri i tymosur është i bazuar mbi dyshimet e mjekut kujdestar në QKMF-në e Malishevës.

“Më 02.08.2021 si pasojë e zjarrit ishte djegur një pjesë e shtallës së tij, e cila dyshohet të jetë djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtëra në rrjet elektrik shkaku i erërave të forta. Zjarri ishte shuar nga zjarrfikësit në të njëjtën ditë rreth orës 19:00, pra më datë 02.08.2021.   Dyshimet e mjekut kujdestar janë se i njëjti mund të jetë ngulfatur/asfiksuar nga tymi i shtallës e cila edhe pse zjarri ishte shuar ende tymonte. Pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’,  për hetim të rastit janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale Gjakovë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në tutje në sqarimin e policisë. Ndërsa, Kosova ditëve të fundit është ballafaquar me zjarre malore dhe fushore në pjesë të ndryshme të vendit.

Qytetet më të prekura nga zjarri janë Peja, Gjilani dhe Suhareka.

(Kosova Sot Online)