Ishte liruar gabimisht, bosi i madh i ‘Ndragheta-s arrestohet në Spanjë

  • E.K /
  • 05 August 2021 - 11:33
 Ishte liruar gabimisht, bosi i madh i ‘Ndragheta-s arrestohet në Spanjë

Është arrestuar në Madrid Domenico Paviglianiti, i cili në vitet 1980-1990 konsiderohej si “bosi i madh” i ‘Ndragheta-s. 60-vjeçari u ndalua nga karabinierët e Bolonjës, në bashkëpunim me policinë spanjolle.

Edhe pse i kishin mbetur për të vuajtur edhe 11 vite e 8 muaj burg, Paviglianiti ishte liruar në tetor 2019 për një gabim në përllogaritjen e ditëve dhe menjëherë më pas ishte arratisur për në Spanjë. Fillimisht ndaj tij ishte dhënë dënim me burgim të përjetshëm, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe pjesëmarrje e drejtim të organizatave kriminale të tipit mafioz, por më vonë dënimi ishte ulur në 30 vite.

Për ironi, po në Spanjë ishte arrestuar për herë të parë, në vitin 1996. Ai ishte një prej udhëheqësve të organizatës kriminale të Kalabrisë që kishte shtrirë ndikimin e saj në të gjithë Italinë, veçanërisht në Lombardi dhe veriperëndim të gadishullit. Të gjitha dënimet e dhëna ndaj tij arrinin në 168 vite heqje lirie dhe një tjetër mister që mbetet për t’u verifikuar nga Gjykata e Lartë është se si nga burgimi i përjetshëm dënimi i tij zbriti në vetëm 30 vite.

(Kosova Sot Online)