Gjermania dhe Franca s’e dëgjojnë OBSh-në, do ta japin dozën e tretë të vaksinës

  • E.K /
  • 05 August 2021 - 12:19
 Gjermania dhe Franca s’e dëgjojnë OBSh-në, do ta japin dozën e tretë të vaksinës

Gjermania dhe Franca do ta ofrojnë dozën e tretë të vaksinës për Covid-19 nga shtatori, duke e injoruar apelin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të mos çohet përpara ky plan derisa të vaksinohet një pjesë tjetër e popullsisë së planetit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca është duke punuar për ta dhënë dozën e tretë të vaksinës për të moshuarit dhe personat e ndjeshëm nga shtatori, shkruan Reuters.

“Ka gjasë që doza e tretë do të jetë e nevojshme, jo për të gjithë menjëherë, por për çdo rast për ata që janë më të ndjeshmit dhe më të moshuarit”, tha presidenti francez në llogarinë e tij në Instagram.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë tha se synon që dozën e tretë t’ua japë personave të moshuar dhe banorëve të shtëpive të kujdesit duke filluar nga shtatori.

Vetëm një ditë më parë, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje që të mbahen pezull planet për dozën e tretë deri në fund të shtatorit, duke thënë se është e papranueshme që shtetet e pasura të shfrytëzojnë më shumë vaksina.

“E kuptoj shqetësimin e të gjitha qeverive për t’i mbrojtur popujt e tyre nga varianti Delta, por nuk mund të pranojmë që shtetet që tashmë e kanë përdorur shumicën e dozave globale të përdorin edhe më shumë”, tha shefi i OBSh-së.

Gjermania e kundërshtoi këtë akuzë, duke thënë se do të dhurojë së paku 30 milionë doza për shtetet më të varfra.

(Kosova Sot Online)