Në uri, izolim e pandemi, Koreja Veriore goditet edhe nga vërshimet

  • E.K /
  • 06 August 2021 - 09:36
 Në uri, izolim e pandemi, Koreja Veriore goditet edhe nga vërshimet

Nuk kanë të ndalur problemet për Korenë Veriore. Nën sanksione ndërkombëtare, e përballur me izolim e mungesë të ushqimit dhe me masa kufizuese në fuqi nga frika e përhapjes së koronavirusit, shteti komunist u godit edhe nga stuhia dhe vërshimet.

Mbi 1.100 shtëpi në këtë shtet u dëmtuan, mijëra njerëz janë evakuuar dhe fermat e rrugët janë vërshuar, pasi reshjet që zgjatën me ditë shkaktuan vërshime, raportuan mediet shtetërore.

Ky dëm ndodhi në kohën kur janë rritur shqetësimet për dëmin në të mbjella dhe ndikimin e mundshëm në furnizimin me ushqim, që edhe ashtu tashmë është shkëputur nga importet e huaja dhe ndihma për shkak të vendosjes së masave në kufi me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, shkruan The Guardian.

Reshjet e dendura të shiut goditën disa zona në bregdetin lindor, përfshirë provincat e Hamgyongut Verior dhe Hamgyongut Jugor, raportoi të enjten televizioni shtetëror, KRT.

Zëvendësdrejtori i Administratës Shtetërore për Hidrometeorologji, Ri Yong Nam, i tha televizionit shtetëror se mbi 500 milimetra shi nga e diela deri të martën në disa pjesë të provincës së Hamgyongut Verior.

“Presim më shumë shi në gusht në rajone të ndryshme, përfshirë zonën e bregdetit lindor, që mund të shkaktojnë dëme të mëtejme”, tha ai.

Në qershor, udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong-un, tha se vendi i tij përballet me situatë të tendosur për ushqimin dhe se shumë do të varet nga të mbjellat e këtij viti.

(Kosova Sot Online)